Një vizitë te banorët e shtëpisë “Jetimat e Ballkanit”

Shkruan: Shaban Sinani
Pak këngë të vjetra qytetare e pak vargje poetike e zbukuruan ditën e dielë në Shtëpinë e Pleqve “Jetimat e Ballkanit” fshati Gjinoc në Suharekë, në kaudër të projektit humanitar në vigjilje të festës së Bajramit të Madh.
Një ide humane, një nismë e shkëlqyer e ndërmarrë nga poetja Sadije Aliti për të bërë një vizitë te banorët e kësaj shtëpie, për të vizituar të moshuarit, në shtëpinë e dytë të tyre në fshatin Gjinoc në Suharekë, ishte një aktivitet human e fisnik. Pak buzëqeshje e argëtim, pak freski me këngë të vjetra qytetare nga hapësira shqiptare si: “Veleshtare”, “Moj e majr e holl e gjat”, “Kur e përcolla ylberin”, “Kur vjen pleqëria” e të tjera sollën një atmosferë festive në ambientet e bukura të kësaj shtëpie. Kjo vërehej në fytyrat e banorëve, shumë emocione sollën edhe poezitë e lexuara nga Sadije Aliti, dhe Merita Abazi.
Një destinacion i caktuar, një udhëtim shumë i këndshëm , i përcjellë me këngë të vjetra qytetare, një pritje të ngrohtë nga stafi dhe banorët që ishin në pritje.
Koordinatorja e këtij projekti Sadije Aliti theksoi, “Është një emocion i veçantë kur je në këtë mjedis, unë e kam vizituar edhe më parë këtë ambient, por vizita këtë herë ishte me një qëllim humanitar, të vizitojmë banorët me një formë më ndryshe, me këngë të vjetra qytetare dhe vargje poetike, të sjellim pak atmosferë relaksuese e festive”. “Duhet të shprehi një faleminderit të përzemërt për stafin që bashkëpunuan dhe na bënë një pritje të mirë e të ngrohtë, për Korin e grave Tetuta nga Tetova dhe Agjencinë Bashkim Turs që e sponsorizoi udhëtimin dhe mbështeti realizimin e kësaj vizite”-tha mes tjerash Aliti.
LivetaArsllani,udhëheqëse e Korit të grave “Teuta” nga Tetova, bëri të ditur se me shumë vullnet e dashuri bashkë me anëtaret e korit i janë bashkangjitur këtij projekti humanitar, dhe se ndjehet e lumtur për këtë vizitë dhe këtë atmosferë këtu.
Korit të grave “Teuta” që funksionon pranë Shoqërisë Kulturo Artistike “Xheladin Zeqiri” nga Tetova gjatë performancës së tyre u dirigjua nga dirigjentja Anita Alii.
Hapësirat e shtëpisë ishin sipas standardeve më të mira, të rregulluara e me funksion të plotë për nevojate banorëve, ku secili banor kishte një rrëfim jete në vete, ku rrëfimi nuk i ngjan njëri-tjetrit, po i ngjan një pikë e përbashkët e rrëfimit ku ata tani jetonin, shprehnin mijëra urime e falimenderime për stafin dhe drejtuesit e kësaj shtëpie.
Një pjesë e ditës së diel kaloi në një shoqërim më ndryshe me banorët e shtëpisë në Gjinoc, e pjesa tjetër e ditës në këtë udhëtim ishte me një vizitë të shkurtë në Suharekë e Prizrenin historik.