Analisti Blerim Hyseni në Facebook ka shprehur qëndrimin e tij për situatën e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, njëherazi dhe rrethin e dytë të atyre presidenciale.


Hyseni shkruan se është keqardhje që Opozita shqiptare pranon pa asnjë kusht të bashkëqeverisë me parti maqedonase duke minimizuar rolin e shqiptarëve në politikbërie dhe shtetformim, teksa sipas tij për të dëshmuar se shqiptarët vazhdojnë të jenë faktor e jo vazal të partive maqedonase, duhet t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.

Reagimi i plotë:

A DESHIROJMË FAKTORIZIM? RRUGË KA!
Gjithmonë është folur për faktorizim të subjektit politik shqiptarë madje që nga pavarësia e këtij vendi, por asnjëherë nuk është arritur që ky faktorizim të bëhet si pasojë e unitetit shqiptarë, apo si pasojë e ndonjë kushtëzimi të barikaduar, por ky faktorizim ka lëvizur në bazë të rrethanave politike që janë krijuar edhe pse pas luftës së vitit 2001 dukej qartë se shqiptarët si faktorë në Maqedoninë e Veriut do të jenë vendimarrës dhe vendosës në shumë politika të shtetit. Nuk dua të jem nihilist, por realist, dhe nuk është që nuk është arritur faktorizimi i subjektit politik shqiptarë dhe në pergjithsi i shqiptarëve.
Shpesh kemi degjuar në veçanti nga opozita shqiptare krahasimin e sërbëve dhe të drejtave të tyre në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Për propaganda dhe për ta dëgjuar është tezë e ëmbël, por sa jemi serioz në veprime për ta bërë këtë? Me keqardhje do thoja aspak! Si shembull është përdor edhe gjuha sërbe në Kosovë dhe gjuha shqipe në Maqedoni, edhe ky krahasim mos të ishte propagandë, por qëllim, është shumë i ëmbel!
Megjithatë sa kemi politikanë shqiptarë në Maqedoni që e kanë vision të tyre arritjen e një qellimi të tillë, me keqardhje do të thoja asnjë! Edhe më tragjike është se opozita shqiptare duke tentuar që me çdo kusht të jetë pjesë e pushtetit, as që i shkon ndërmend të dalë me kërkesa me të larta sesa pozita e që do të ishte e natyrshme. Por cka ndodh te ne, opozita i shkon pas pushtetit, me platëforma duke e ndryshuar vetëm llafologjinë dhe asgjë më shumë! Tani ishte momenti që opozita të dalë e qartë me kërkesa të elaboruara mirë dhe jo minimaliste, kërkesa që edhe po ta pyesësh çdo qytetar të rëndomtë do të dijë t’i parashtroje, por politikës i takon t’i prije ideve, kjo nuk është bërë dhe me gjasë vështirë të bëhet deri atëherë kur synim do të jetë pushteti dhe jo interesi i votuesitose I qytetarit shqiptar. E kjo të imponon mendimin, atë që e thonë edhe qytetarët se partitë e kanë vetëm për pushtet. Po të ishte ndryshe narrativi disa vjecar i opozitës se sërbët janë nën 5% në Kosovë dhe e kanë gjuhën e barabrtë me shqipën në Kosovë, atëherë atë do ta shkruanin edhe në programin e tyre politik.
Por kjo nuk bëhet për të vetmën arsye , frika se partneri i mundshëm maqedonas do të idhnohej është zgjedhur rruga më e lehtë, më mirë të tradhëtohen votuesit që i kemi frymëzu me ide të pa realizueshme dhe jo serioze sesa të idhnohet partenri i mundshëm maqedonas i koalicionit!
Aspekt tjetër që duhet të mendohet tani kur në garë presidenciale janë vetëm dy kandidat maqedonas është edhe bojkoti i rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale nga ana e subjekteve politike shqiptare! Duke mos e shëndrruar votuesin shqiptare si makineri për t’i plotësuar ambiciet dhe synimet e subjeketeve politike maqedone, pra duke mbajtur llogari më shumë për interesin kombëtar sesa atë partiak ,shqiptarët do të dëshmonin se nuk janë vazal të partive maqedone dhe me e rëndesishmja është se para faktorit ndërkombëtarë i cili sado që në fillim do të jetë kundë, ata do të trajtonin shumë më ndryshe faktorin shqipëtar në ciklet e tjera zgjedhore sepse është dëshmuar edhe në praktikë se është vendosës jo vetëm i stabilitetit, por edhe politikbërjes në Maqedoninë e Veriut. Shansi është i artë për faktorizim dhe rietablim të faktorit politik shqiptarë, por kjo e di që është e pa arritshme, sepse jemi mësuar me politika afat shkurtra, qe domethënë se nëse Vuciqi me një telefonatë arrin që asnjë sërb të mos marrë pjesë në cikël zgjedhore, shqiptarët nuk e kemi një Vuciq! Si rrjedhojë krahasimet me sërbët në Kosovë qoftë për gjuhën sërbe atje, dhe gjuhën shqipe këtu është i pa realizueshem, sepse vet shqiptarët nuk e deshirojnë! Shqiptarët më shumë e deshirojnë pushtetit sesa qytetarin e thjeshtë ose më shumë pushtetin sesa një Maqedoni të betonizuar mbi bazën e dy etnitetve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonëve. Rrugë ka, guxim, strategji dhe dëshirë për fat të keq nuk ka! Derisa të jetë kështu gjum të ëmbël!