Gazetari dhe ufologu, Jaime Mausan u ka prezantuar politikanëve ato që ai pretendon se janë dy kufoma të vogla alienësh të marra nga Cuzco, Peru.


Kufomat e supozuara janë paraqitur në kuti dritaresh në Mexico City, duke shkaktuar entuziazëm tek komuniteti i teoricienëve të UFO-ve, raporton Independent.

Sipas raportimeve të mediave meksikane, Mausan dëshmoi nën betim se ekzemplarët e mumifikuar nuk ishin pjesë e “evolucionit tonë tokësor” dhe se gati një e treta e ADN-së së tyre ishte “e panjohur”.

Në një seancë publike, Mausan u tregoi zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të qeverisë meksikane disa video të “UFO-ve dhe fenomeneve anormale të paidentifikuara”, përpara se të zbulonte kufomat e supozuara të alienëve.

 

“Këto ekzemplarë nuk janë pjesë e evolucionit tonë tokësor… Këto nuk janë qenie që u gjetën pas rrënojave të një UFO. Ato u gjetën në minierat e diatomeve (algave) dhe më vonë u fosilizuan”, tha ai.

Ai më pas i tha audiencës se mostrat ishin studiuar nga shkencëtarët nga Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës (UNAM), të cilët thuhet se ishin në gjendje të nxirrnin prova të ADN-së duke përdorur radiokarbon. Ai pretendon se pas krahasimit me mostrat e tjera të ADN-së, më shumë se 30 për qind e mostrave të ADN-së u gjet se ishin “të panjohura”.

Gjatë seancës dyshohet se u shfaqën rrezet X të mostrave dhe ekspertët dëshmuan nën betim se në njërin prej trupave kishte “vezë” brenda, ndërsa të dy u tha se kishin implante nga metale shumë të rralla, si osmiumi.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Ryan Graves, drejtor ekzekutiv i “Americans for Safe Aerospace” dhe ish-pilot i marinës amerikane, i cili foli para Kongresit amerikan në fillim të këtij viti për kërcënimin që paraqet fenomene të paidentifikuara ajrore për sigurinë kombëtare të SHBA.

Mausan ka qenë i lidhur më parë me pretendimet për zbulime “aliene” që më vonë u hodhën poshtë, duke përfshirë pesë mumie të gjetura në Peru në vitin 2017 që më vonë rezultuan se ishin qenie njerëzore.