Manchester City ka regjistruar fitore të rëndësishme ndaj Tottenham Hotspurit, në ndeshjen e mbetur nga java e 34-t në Premierligë, duke bërë hap të madh drejt titullit të katërt rresht të kampionit.


Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola triumfoi si mysafire me rezultatin e pastër 0:2, me të dy golat të shënuar në pjesën e dytë.

Erling Haaland ishte heroi i Man Cityt sonte, duke shënuar të dy golat e fitores.

Norvegjezi fillimisht shënoi në minutën e 51-të, e pastaj u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e parë shtesë – 90+1’.

“Qytetarët” pas kësaj fitore kanë 88 pikë dhe tani janë liderë në tabelë, me dy pikë më shumë se Arsenali.

Kësisoj, skuadra kampione në Premierligë do të vendoset të dielën, kur edhe do të luhen ndeshjet e javës së 38-të dhe të fundit për sezonin 2023/24.

Man City do të jetë nikoqir i West Ham Unitedit, kurse Arsenali e pret Evertonin.

Në anën tjetër, Tottenhami mbetet i pesti në tabelë me 63 pikë dhe pa gjasa për pozitën e katërt.