Duke folur për “provokimet e qëllimshme” nga Koreja e Jugut, Koreja e Veriut po paralajmëron se do të marrë “kundërmasa dërrmuese ushtarake”, ndërsa tensionet në zonë janë rritur pas një breshërie raketash balistike nga regjimi i Phenianit në javët e fundit.


Paralajmërimi erdhi një ditë Korea e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të shkurtër dhe përdori artileri pranë kufirit me Korenë e Jugut.

Sipas një zyrtari të Koresë së Veriut, sulmi i artilerisë ishte një paralajmërim për “provokimet e përsëritura të armikut në kufi”, njoftoi agjencia e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut.

“Tani e tutje, ushtria jonë nuk do të lejojë kurrë asnjë provokim nga armiqtë që po përshkallëzojnë tensionin ushtarak në Gadishullin Korean”, tha ai, duke kërcënuar me “kundërmasa dërrmuese ushtarake”.

Avionët luftarakë të Koresë së Veriut fluturuan në afërsi të kufirit të dy vendeve dje, të premten, dhe avionët e forcave ajrore të Koresë së Jugut u ngritën për t’i kapur.

Me breshërinë e dënuar ndërkombëtarisht të testeve të raketave, Koreja e Veriut po “tregon dhëmbët” duke përfituar nga paqëndrueshmëria gjeopolitike globale.

Në aspektin strategjik, sjellja e Phenianit është pasojë e paqëndrueshmërisë politike globale që i ka dhënë mundësinë të provokojë fqinjët e saj pa frikën se do të shkaktojë një raund të ri sanksionesh.

Lufta në Ukrainë jo vetëm që shpërqendron Joe Biden, por ka hapur derën për lidhje më të ngushta midis Phenianit dhe Moskës, ndërkohë që aktiviteti i fundit ushtarak kinez në ngushticën e Tajvanit ka lejuar Veriun të përfitojë nga rritja e tensioneve midis Uashingtonit dhe Pekinit.