Rreth 40 avionë dhe qindra autobusë nga diaspora shqiptare pritet të mbërrijnë në vend të premten dhe të shtunën, për të votuar kandidatin e BDI-së Fatmir Dehari në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 31 tetor, për t’u zgjedhur kryetar i Komunës së Kërçovës. Sipas informacioneve të Sloboden Pecat nga BDI, pritjet janë që të paktën 5.000 vota nga diaspora shqiptare do ta ndihmojnë Deharin në garën kundër kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski, i cili fitoi raundin e parë me një avantazh prej 250 votash.

– Diaspora tashmë është e organizuar dhe ata do të vijnë në Kërçovë me aeroplanë dhe autobusë nga e gjithë Evropa për të mbështetur Deharin. Njoftohet se do të vijnë për të votuar edhe mërgimtarët tanë nga SHBA. Diaspora organizohet me iniciativë të saj, jo nga BDI. Presim që të vijnë masivisht, sepse e hëna është festa katolike Dita e të Gjithë Shenjtorëve, pra është ditë jo pune, që të kthehen – thonë nga BDI.

Kreu i BDI -së Ali Ahmeti i bëri thirrje diasporës që të kthehen në atdhe më 31 tetor dhe të mbështesin kandidatin e tyre për kryetar komune.

“Jemi sfiduar shumë herë bashkë dhe nuk jemi dorëzuar kurrë. Qëndruam të fortë sepse ishim bashkë, si një popull i tërë i përkushtuar për vendlindjen tonë. Një nga sfidat më të mëdha që kemi pasur këto vite është kthimi i Kërçovës në duart tona dhe sot nuk duhet të lejojmë që historia të kthehet prapa. “Ju bëj thirrje edhe një herë të bashkoheni për Kërçovën tonë dhe më 31 tetor të gjitha rrugët të na çojnë në shtëpi”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Se mërgimtarët tashmë po organizohen që ditën e zgjedhjeve të vijnë në Kërçovë, konfirmim ka ardhur edhe nga “Diaspora e Bashkuar Kërçovë”, e cila përmes një komunikate bën thirrje për votim të kandidatit shqiptar në Kërçovë. Udhëtimet do të organizohen përmes shoqatave të tyre në Zvicër, Austri, Gjermani, Itali.

“Të dashur bashkatdhetarë, në Kërçovë ne shqiptarët jemi shumicë fizike dhe kemi mundësi të bëhemi shumicë politike. Pra, është e jona ta udhëheqim Kërçovën. Kryetari në parim duhet të jetë shqiptar. Prandaj, Diaspora e Bashkuar nga Kërçova u bën thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të mobilizohen dhe të shkojnë në vendlindjen e tyre, Kërçovë, për të votuar kandidatin shqiptar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahet të dielën, më 31 tetor 2021. shkruan në deklaratë.

Përkrahje për Deharin ka paralajmëruar edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në një pako me mbështetjen për Çairin, Strugën dhe Gostivarin.

Interesant do të jetë se ku do të shkojnë votat e konkurrentit dhe ish-partiak i Deharit, Fatmir Limani, i cili në raundin e parë fitoi 4.527 vota. Ndonëse kanë dalë informacione se ai do t’i bëjë thirrje zonës së tij që në raundin e dytë të votojë për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Limani përmes një postimi në Facebook ka thënë se qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që Dehari ndihmon në mobilizimin e diasporës shqiptare. Gjatë zgjedhjes së parë të Deharit për kryetar të Kërçovës në 2013, emigrantët zbarkuan masivisht me aeroplan në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit për të votuar për kandidatin e BDI -së. Në atë kohë, kishte më shumë se 20 fluturime çarter përgjatë tre linjave të rregullta nga Zvicra vetëm në dy ditë.