Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një deklaratë të dhënë pas takimit me Odën ekonomike veriperendimore, deklaratën e kryetarit aktual të komunës së Gostivarit Arben Taravari, në të cilën ai votuesit e partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut i quan banditë, e ka cilësuar si të pamatur dhe jashtë traditave shqiptare.

Kryetari Ahmeti gjithashtu ka përkujtuar liderët politik se duhet të kenë kujdes kur flasin para opinionit pasi që pikërisht ata duhet të jenë shembull për të rinjtë dhe gjeneratat që vijnë.

“Me keqardhje e përcjellë ca zhvillime, në traditën në radhë të parë njerëzore por mbi të gjitha atë kanunore të shqiptarëve është e mira kujtohet, e keqja mbahet mend për jetë. Është mirë që të jemi të kujdesshëm në fushata, në paraqitje publike sepse ne jemi njerëz publik, ne jemi në shënjestër të të gjithë qytetarëve. Me sjelljet tona, me punët tona ne duhet të jemi shembull për të rinjtë, duhet të jemi shembull për gjeneratat. Unë kur i drejtohem opinionit, të gjithëve u drejtohem me motra dhe vëllezër dhe nuk i ndaj në tabore, as që janë të ndonjë partie tjetër sepse janë të gjithë njerëzit tanë dhe nuk duhet të bëjmë gabime, ofendime, sepse jeta e një gjenerate nuk është me shekuj dhe duhet të jemi të kujdesshëm ashtu siç e thash edhe në fillim, të mirat edhe kujtohen, por gjërat e këqija përherë në kujtesë mbesin dhe përherë njerëzit i kujtojnë dhe kur nuk i harrojnë”, është shprehur kryetari Ahmeti.