Medai Shaholli
Pyetja që shtohet shpesh këto ditë pas turit të parë të zgjedhjeve presidenciale në mbarë “Severnën” është se a po inagurohet e djathta nacionalshoviniste në pushtet?
Mesa duket po. Duke parë rezultatin e thellë të kandidates Siljanovska në turin e parë përballë kandidatëve tjerë për president të “drzhavës”, komitët e Mickos shihen si favorit në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, dhe mandatarë të krijimit të qeverisë së ardhshme të koalicionit.


Faktori politik shqiptar në kë të rast ndodhet para një sfide të madhe sepse pas 8 majit, do duhet të reflektojnë thellë nëse do t’i bashkohet komitëve në qeverinë e koalicionit apo jo, duke menduar se ndryshimi vjen me ta.
Pjesëmarrja pa kushte (martesë për interes) e opozitës shqiptare me komitët e Mickos në qeverinë e ardhshme të koalicionit do të thotë hap i gabuar dhe vetëvrasje politike për pasojë, mbyllje e derës europiane si ndëshkim i “Severnës” edhe për disa vite në rrugëtimin e saj pa sukses drejt Brukselit.

Me përzgjedhjet e gabuara të Siljanovskën presidente dhe kryekomitin Micko premier, agjenda e rrugëtimit drejt Europës do të ndryshojë kahje, duke marrë tjetër drejtim, atë drejt Moskës dhe konfrontim të hapur me Brukselin dhe Uashingtonin.

Me këtë përzgjedhje tashmë të miratuar në prononcimet e tyre, opozita shqiptare po i ngul thikë pas kurrizit interesave kombëtare nën pretekstin e ndryshimit që do të ndodh me ta. Jo zotërinj, ndryshimi nuk vjen duke bërë pazar me të keqen pasi ju nuk do të keni kartonët e mjaftueshëm për ta ndalur revanin e komitëve në qeverine e ardhshme të koalicionit dhe thirrjet shoviniste përmes militantëve të tyre që do të kërkojnë edhe më tej dhoma gazi për shqiptarët.
Ju thjesht do të jeni numra të nevojshëm për qeverinë e ardhshme apo rrota rezervë për ta mbajtur në këmbë atë qeveri koalicioni si dekor para faktorit ndërkombëtar.

Ndryshimi s’ka si vjen me ata që tashmë jane deklaruar se s’ka ndrydhime kushtetuese dhe shantazh bullgar që na mposht ne dalëzotësit e “drzhavës”!
Dy janë alternativat që ka faktori politik shqiptar para zgjedhjeve të 8 majit, ose me Moskën ose me Brukselin!

Cilado forcë politike shqiptare që zgjedh Moskën si agjendë të rrugëtimit të tyre për të ardhmen, ia paftë hajrin!