Xhudoja sjell Evropën në Prishtinë

Me fillim nga ora 10:30, në Prishtinë sot do të nisë Kampionati Evropian i Hapur në xhudo, që për herë të parë organizohet në Kosovë.


Gjatë ditës së djeshme është hedhur edhe shorti, dhe dy kampionet olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, që garojnë në kategorinë -57 kg, mund të përballen mes vete vetëm nëse kualifikohen në finale, natyrisht nëse kalojnë pengesat e mëdha në çerekfinale dhe gjysmëfinale, raporton Klankosova.tv.

Në kategorinë e meshkujve (-57 kg), short më i vështirë është për Akil Gjakovën dhe Dardan Cenën, të cilët për të hyrë në zonën e medaljeve, mund të përballen me medalistë botërorë e olimpikë.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka ftuar gjithë tifozët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të qenë të pranishëm në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për t’iu dhënë përkrahjen e madhe garuesve tanë.

Garat kualifikuese fillojnë nga ora 10:30 ndërsa duelet finale nga ora 16:00. Hyrja është pa pagesë.

Edhe Federata Evropiane e Xhudos ka komentuar për këtë ngjarje sportive që do të mbahet në Prishtinë.

“Emocione teksa Prishtina mirëpret atletë të klasit botëror. Kini vëmendjen te kampionia olimpike Distria Krasniqi e cila mezi pret të përballet me sfidën në kategorinë -57 kg. Kush do të dalë fitues?”, shkroi Federata Evropiane e Xhudos.

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos