Barcelona gabon sërish, barazon me Valencian

Barcelona nuk ka këndellje. Pas dy humbjeve radhazi në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, tani katalonasit kanë barazuar.


Ekipi i drejtuar nga Xavi Hernandez u ndal 1:1 në udhëtim ndaj Valencias, në kuadër të javës së 17-të në elitën e futbollit spanjoll.

Pjesa e parë u mbyll ashtu edhe sic nisi, pa gola të shënuar.

E në minutën e 55-të, Joao Felix realizoi pas asistimit nga Raphinha.
Por, vendasit arritën ta gjenin golin e barazimit në minutën e 70-të nëpërmjet Guillamon.

Deri në fund, Barcelona tentoi ta gjente golin e fitores, por shifrat nuk ndryshuan.

Me këtë barazim, tani Barcelona ka 35 pikë, gjashtë më pak se Girona që ka një ndeshje mangu.

Kurse, Valencia mbetet e 10-ta me 20 pikë të grumbulluara.