Netanyahu bisedon me Biden: Duhet të hyjmë në Gaza

Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të dielën.


Kryeministri izraelit i theksoi presidentit amerikan se Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të nisë një operacion tokësor në Gaza.

“Duhet të hyjmë brenda”, tha lideri izraelit, sipas tre burimeve izraelite dhe amerikane të informuara për thirrjen, sipas uebsajtit amerikan Axios.
Mesazhi i Netanyahut në thelb sinjalizon se cila do të jetë përgjigja e vendit të tij ndaj ofensivës së Hamasit në ditët dhe javët në vijim, në atë që kryeministri izraelit e ka përshkruar si një ” luftë të gjatë dhe të vështirë”.

Ushtria izraelite tha më herët se kishte mobilizuar 300,000 rezervistë, numri më i madh i rezervistëve që janë thirrur në shërbim në dekada, në përgatitjet për një sulm të mundshëm tokësor në Gaza.

“Duhet të hyjmë. Ne nuk mund të negociojmë tani”, tha Netanyahu, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe zyra e kryeministrit izraelit refuzuan të komentojnë në faqen e internetit.