Komuna e Mitrovicës së Veriut, sot, ka marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në Lagjen e Boshnjakëve, e cila shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.


Kjo është konfirmuar nga vet kryetari i kësaj komune, Erden Atiq.

“Shtyhet afati për dy javë. Sot inspekcioni shkon dhe do ua kumtojë informacioni që shtyhet për dy javë, ose 14 ditë”, është shprehur Atiq.

Ndryshe, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano dje, ka shprehur shqetësimin e shteteve anëtare të BE-së për situatën në veri të Kosovës, teksa ka kërkuar koordinim të plotë nga institucionet e Kosovës për të gjitha vendimet që janë të ndërlidhura me çështjet e sigurisë në veri të Kosovës.

Ai ka bërë edhe një herë thirrje për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë “për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo s’ka ndodhur as me këto vendime”.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.

Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.

Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura tri institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: “Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, “Qendra për Punë Sociale” nga Vushtrria dhe “Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se “kryetarët jolegjitimë kanë shkuar një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe objektet”.

Në anën tjetër, nga komuna e Mitrovicës së Veriut thonë se zyrtarët e tyre i ka takuar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili u ka thënë se “nuk ka asnjë dokument për objektin dhe se nuk e di se në pronësinë e kujt është.”

Stano ndërkaq më tej tha se çështja e strukturave të drejtuara nga Serbia duhet të adresohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Tutje, ai tha se edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune të prillit 2023, të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës, u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, “ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët ato nuk ofruan një zgjidhje afatgjatë politike.

Një reagim i ngjashëm erdhi edhe nga ShBA-ja. Ambasada e këtij vendi në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.