Dy ukrainase, përkatësisht 25-vjeçarja Antonina Kozachenko dhe 40-vjeçarja Anastasia Lopukhova janë gjetur të pajeta në një banesë në zonën e quajtur “Selvia” tek “Rrugën e Dibrës” në kryeqytet mesditën e sotme.


Policia njofton se 2 ukrainaset janë gjetur pa shenja jete nga shoqja e tyre e dhomës. Paraprakisht dyshohet se dy shtetaset e huaja kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike.

Gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi ka mësuar se ukrainaset kanë kërkuar “Xanax” 2 ditë më parë në një farmaci në Tiranë dhe farmacistja nuk ka pranuar t’ua japë. Njëra prej tyre e ka kafshuar në dorë farmacisten dhe janë larguar. Farmacistja ka bërë denoncim në polici për ngjarjen, por gjatë 48 orëve uniformat blu nuk kanë mundur që të gjejnë vendodhjen e tyre.

Është ngritur grupi hetimor së bashku me ekspertë të ADN-së dhe Ekspertimeve Biologjike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak | Më datë 10.05.2024, rreth orës 13:35, në Rrugën e Dibrës, në banesë, janë gjetur nga shoqja e tyre e dhomës, pa shenja jete shtetaset ukrainase A. K., 25 vjeçe dhe A. L., 40 vjeçe.

Paraprakisht dyshohet se dy shtetaset kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike.

Është ngritur grupi hetimor së bashku me ekspertë të ADN-së dhe Ekspertimeve Biologjike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./tvklan.al