Shpërfillja e kërkesave të infermierëve për kushte më të mira pune dhe paga më të larta mund të shuaj këtë profesion. Nga Shoqata e Infermierëve “Për ne” thanë se përveç numrit të lartë të kërkesave të infermierëve për tu larguar jashtë vendit shumë prej tyre madje nuk duan të vazhdojnë me këtë profesion.


“Sipas kërkesave për vërtetime që i kërkojnë nga ne në Shoqatë, për të kompletuar dokumentacionin e tyre për rajonin dhe Evropën, kemi një dalje shumë të madhe. Madje kemi pasur një periudhë pas pandemisë Covid-19, kur çdo muaj largoheshin deri në dyzet infermiere nga të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor publik.
Problemi nuk është se ata po largohen vetëm jashtë vendit, por edhe në institucionet private shëndetësore e madje edhe nga profesioni në përgjithësi. Është shumë e rëndësishme të kemi autonomi në profesion, një mjedis të shëndetshëm pune, kushte më të mira pune, të reagojmë menjëherë, që të mos jemi një komb që do të mbetet pa infermiere”, deklaroi Gordana Beshliovska, kryetare e Shoqatës së infermierëve “Për ne”.

Në vitet e fundit numri i stafit mjekësor që largohet jashtë shtetit është i lartë. Nuk largohen vetëm infermieret, por dhe mjekët. Sipas të dhënave të fundit të Shoqatës së Mjekëve 200 deri në 250 mjek në vit e braktisin vendin./