LSDM thirrje VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese/ Opozita e quan agjendë të rrejshme se kushtetuta është pengesë për BE-në

Janë përmbushur të gjitha kushtet e Hristijan Mickoskit që ai vetë i vendosi që partia e tij t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, thonë nga partia në pushtet LSDM, duke kërkuar nga opozitarja VMRO-DPMNE mbështetje për arritjen e 80 votave për ndryshimet kushtetuese.


“Me dorëheqjet e ministrave të BDI-së, të cilat do të hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Mickoski dhe DPMNE menjëherë mund të bëhen pjesë e një Qeverie në të cilën BDI nuk do të marrë pjesë dhe më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme. Mjafton të përfshihen në proces dhe të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Përndryshe do të tregojnë se janë të papërgjegjshëm ndaj popullit të tyre dhe ndaj të ardhmes së vendit”, thonë nga LSDM.

I pyetur për pohimin e LSDM-së se janë plotësuar të gjitha kërkesat e VMRO-DPMNE-së, zëdhënësi i kësaj të fundit përsëriti qëndrimin se kjo është vetëm agjendë e rrjeshme për të humbur kohë dhe se vendit i duhen vetëm zgjedhjet e parakohshme.

“Janë përmbushur vetëm kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Shpresoj se nga LSDM pyesin edhe pse Prokuroria publike nuk hapi lëndë për “Soravian” dhe shpirtin e ndërmarrësisë të Ahmetit të ri, si dhe deri u është hetimi për parkun e makinave të fqinjëve të Grubit? Dorëheqjet e BDI-së janë pikërisht për këtë… që në vend se mikrofonat të jenë të drejtuar drejt përgjigjeve për këto çështje, të bëhet agjendë e rrejshme se vetëm kushtetuta është pengesë për BE-në”, tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.

Rreth dorëheqjeve së fundi ka folur edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi. Në intervistë për Ora Njuz është shprehur se “prapa dorëheqjeve të BDI-së, qëndron Bashkimi Evropian, qëndron integrimi i vendit në BE”. Ka vazhduar më tej duke thënë se nuk janë për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk i konsiderojnë se janë zgjidhje.

Përndryshe, seanca plenare për ndryshimet kushtetuese do të nisë më 18 gusht, por se kur do të votohen mbetet ende e paqartë, sepse pushteti nuk i ka 80 votat e nevojshme për ta ndryshuar kushtetutën, për futjen e bullgarëve dhe disa përkatësive të tjera.