Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut u dënuan me pesë vjet burg në Greqi, pasi policia greke gjeti tek automjeti i tyre rreth 600 dokumente, karta identiteti, patenta shoferi, leje qëndrimi nga vende të ndryshme europiane .


Ata u arrestuan të premten gjatë tentimit për të hyrë në Greqi në pikën kufitare të Dojranit.

Policia greke bëri të ditur se dy personat u arrestuan pasi gjatë kontrollit në kufi u gjetën gjithsej 440 dokumente bllanko (të paplotësuara)-karta identiteti, patenta shoferi, leje qëndrimi nga vende të ndryshme evropiane të cilati u sekuestruan. Gjatë kontrollit, në bagazhin e automjetit të tyre janë gjetur edhe 159 dokumente të tjera të cilat gjithashtu janë sekuestruar.

Agjencia greke e lajmeve “ANA-MPA” raportoi se Gjykata Penale në Kukous i shpalli fajtorë të dy të arrestuarit për falsifikim dhe komplot për përfitime ekonomike dhe i dënoi me pesë vjet burg.

Sipas “ANA-MPA”, dy të akuzuarit nuk kanë bërë të ditur detaje nga aktivitetet e tyre gjatë seancës dhe janë mbrojtur me heshtje.