Eksperti: Pse një ish-shef i Shërbimit Sekret në krye të politikës së jashtme turke

Mehmet Kalisi, eksperti i çështjeve të lindjes së mesme tha për Euronews Albania se vendosja Hakan Fidan, si ministër i Jashtëm i Turqisë nuk është e rastësishme.


Sipas tij emri i Fidan nuk është i panjohur për Turqinë pasi ai ka qenë shefi i inteligjencës turke dhe vendosja e tij në këtë pozicion e lejon atë të trajtojë më mirë çështje dhe problematika të politikës së jashtm të cilat ai i kishte trajtuar edhe më herët por në mënyrë të fshehtë.

“Hakan Fidan nuk është një figurë e panjohur publike në Turqi. Ai ishte shef i Shërbimit të Inteligjencës turke. Vitet e fundit Turqia u përball me disa sfida jashtëzakonisht të mëdha dhe kur flasim për politikën e jashtme ishte Hakan Fidan ai i cili trajtoi shumicën e këtyre sfidave në arenën e politikës së jashtme.

Tashmë ai do ketë mundësinë si Ministër i Punëve të Jashtme të trajtojë këto dosje në mënyrë të hapur, se deri më tani ai këto problematika i kishte trajtuar në mënyrë “gjysmë të fshehtë”, tashmë si një ministër i punëve të jashtme Hakan Fidan mund t’i trajtojë këto problematika në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Këtu kemi të bëjmë me çështjen e Sirisë, me çështjen e raporteve me Rusinë, si edhe për raportet e disa shteteve të lindjes siç është Egjipti. Hakan i kishte trajtuar e më herët këto problematika, por si ministër i jashtëm do mund t’i drejtojë më mirë këto”,-tha Mehmet Kalisi.