Hristijan Mickoski thotë se koalicioni i ardhshëm qeverisës do të jetë mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN, shkruan TV21. Mickoski iu përgjigj edhe Kreshnik Bekteshit nga BDI, i cili së fundmi tha se Mickoski duhet të kërkojë në “Google Maps” Reçicën e Vogël, ku gjendet selia e BDI-së.

“E kam gjetur Reçicën e Vogël, por do të shohim tutje si do të funksionojnë ata Google maks…Maps dhe nëse do të jetë Idrizova destinacioni që ata do ta kërkojnë. Qytetarët folën, koalicioni i ardhshëm në Maqedoni do ta udhëheq VMRO-DPMNE, ndërsa në të do të jetë koalicioni që në këto zgjedhje mori pjesë nën emrin VLEN”, tha Mickoski.

I pyetur nëse do të pranojë qeveri me VLEN edhe nën kushtin për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, Mickoski tha se nuk ka dëgjuar për kërkesë të tillë të opozitës shqiptare.

“A do të formoni qeveri edhe nën kushtin për ndryshime kushtetuese? Me BDI-në nuk kemi qëllim të jemi…Me VLEN? Unë nuk kam dëgjuar që VLEN ka kusht të tillë, atë kusht po e imponon BDI, duke kërkuar kashtë për shpëtim”, tha Mickoski.