Opozitarja VMRO – DPMNE nuk ka ndryshuar si parti. Ajo po shpërfaq propozime të rrezikshme sepse lideri i saj i ka përzier konceptet. Në vend që të deklarohet për ndryshimet kushtetuese, Mickoski ka hyrë në terrenin shqiptar për të treguar se cilat janë partitë “e preferuara” me të cilat dëshiron të qeverisë, dhe kush duhet të shkojë në opozitë. Ky mentalitet për t’i nënshtruar subjektet shqiptare që i mashtron se do t’i ketë partnerë koalicioni është shumë i rrezikshëm. I bën sikur nuk i dërgon në pushtet elektorati shqiptar, por ajo që pyetet është VMRO, që mëton të ketë ndonjë parti vartëse, vetëm sa për formalitet, por me kontroll absolut mbi ta, shkruan Indeks.mk


Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Urim Saliu, thotë se partitë shqiptare duhet ta bojkotojnë këtë skenar poshtërues të Mickoskit.

“Duhet që secila parti shqiptare, rrugën për te pushteti ta kërkojë përmes zgjedhësve apo votuesve shqiptarë. Ne na duhet parti që qeverisin përmes forcës së votës dhe jo premtimeve të Mickoskit se do t’i bëjë partnerë qeveritarë. Mickoskit ka zgjedhur një kurth të ri me ide të politikave të vjetruara që i skllavëron partitë shqiptare. Kujtojmë se VMRO-DPMNE ka akuza serioze për krim dhe korrupsion, që Mickoski bashkë më “mësuesin” e tij, azilantin Nikolla Gruevski, kanë qenë aktorë të këtyre zhvillimeve. Nëse duan ta zhveshin politikën maqedonase, atëherë duhet t’i lënë të vetme të qeverisin partitë maqedonase, sepse në të kundërtën kush do bëjë pakt me VMRO, do ta ketë shumë keq punën në zgjedhjet që i kemi afër”, thotë Saliu për Indeks.mk

Në anën tjetër, gazetari Destan Jonuzi thotë se kërkesa e VMRO-DPMNE-së për një Qeveri, pa BDI-në është mendësi për të përzgjedhë shqiptarë preferencialë, të dëgjueshëm. Sipas tij, qasja anti-shqiptare e Mickoskit, për një Qeveri pa partitë shqiptare (BDI, ASH) që kanë legjitimitetin e shqiptarëve për t’i përfaqësuar, flet se ai ka gjetur partnerët e tij, strategjikë, të dëgjueshëm që do t’i shërbejnë, tek Besa, Alternativa dhe “Grupi i zjarrit”.

“Kjo është një mendësi Milloshoviqiane, e cila i ka përjashtuar shqiptarët nga sistemi dhe i ka trajtuar vetëm si argatë në shtëpinë e tyre. Procesi i ndryshimeve kushtetuese, i cili kërkon konsensus të gjerë politik dhe etnik, nuk duhet të përjashtojë asnjë parti që mund të kontribuojë në proces. Nëse dyert e Qeverisë janë të hapura për VMRO-në, atëherë pse një parti siç është BDI, e cila ka 21 vjet që punon fort për integrimin e shtetit në NATO dhe BE, të (vetë)përjashtohet nga Qeveria. Kërkesa e Mickoskit është politikisht e paqëndrueshme, ndërsa nga pikëpamja populliste është nacionaliste”, thotë Jonuzi për Indesk.mk

BDI dhe ASH tanimë janë deklaruar mbi kërkesën e shqiptarëve për Qeveri pa shqiptarët. Dy partitë më të mëdha shqiptare, BDI dhe ASH kanë theksuar se nëse Mickoski është serioz në deklaratat e tij, ato janë të gatshme të largohen nga Qeveria, por me kushtin, që ndryshimet kushtetuese të votohen para futjes së VMRO-DPMNE-së në Qeveri.

Edhe kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e ka cilësuar si të rrezikshme idenë e opozitarit Mickoski për largimin e BDI-së nga Qeveria. Sipas tij, një hap i tillë mund të shkaktojë revoltë te populli shqiptar dhe të shkaktojë turbulenca të reja politike.