Fronti Europian ka ankimuar vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për rivotim pranë Gjykatës Administrative dhe paralajmëron padi për anëtarët e organit kryesor zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Sipas përfaqësuesit të Frontit Europian, Bujar Osmani opinioni vendas dhe ndërkombëtar ishin dëshmitarë të shkeljes brutale të procedurave nga ana e Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe vjedhjes evidente partiake dhe institucionale të vullnetit zgjedhor me vendimet joligjore për rivotim në vendvotimet e përcaktuara paraprakisht.


“Atë që qytetarët e panë drejtpërdrejtë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor me mbivotimet etnike, u përkujtuan kohërat e majorizimit të viteve të 90-ta. Motivet, sipas nesh, janë tre: 1. Qëllimi për të mos lejuar që për herë të parë pas pavarësisë së vendit një koalicion i udhëhequr nga parti politike shqiptare të jetë subjekti i dytë në vend. 2. Të zbutet thellësia e humbjes së tyre te komuniteti shqiptar dhe 3. Të njolloset komuniteti shqiptar në kushte kur Qeveria që organizon zgjedhjet është e udhëhequr nga një shqiptar por edhe vendbanimet me shumicë shqiptare të njollosen, se ata vjedhin procesin zgjedhor”, sqaroi Osmani.

Përmes press konferencës së sotme, Osmani iu apeloi të gjithë akterëve politikë, vendas dhe të huaj për vigjilencë.

“Ftojmë institucionet që të respektojnë ligjin, mos të lejojnë kapjen e shtetit dhe mos të bien nën ndikime dhe presione të partive politike! Gjithashtu ftojmë edhe komunitetin ndërkombëtar që të ndjekë me vëmendje këtë proces kaq të rëndësishëm! Edhe monitoruesit vendas, edhe monitoruesit ndërkombëtarë konstatuan se zgjedhjet e 24 prillit dhe zgjedhjet e 8 majit ishin në kuadër të standardeve më të mira demokratike, europiane dhe si të tilla vetëm ndërtojnë imazhin e shtetit, imazhin e votuesit por edhe imazhin e institucioneve. Tentimet për njollosje të këtij imazhi për qëllime të ulëta partiake dhe urrejtjes etnike nuk do të lejohet!”, theksoi ai.

Epilogu i zgjedhjeve parlamentare e nxorri Frontin Europian forcën e dytë politike në Maqedoninë e Veriut, para partisë socialdemokrate, me gjithsej 19 mandate të fituara në ligjvënës për dallim nga LSDM-ja e cila arriti të sigurontë 18 mandate në Kuvend. Kjo është hera e parë që një koalicion i partive politike në krye me liderë shqiptarë të dalë forca e dytë më e madhe politike që nga pavarësia e vendit.