Jordan Kamçev, Dushko Qifliganec, Risto Sekullovski, Boban Zaev janë disa nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kanë pronë në Dubai, thuhet në hulumtimin e fundit të “IRL”, përcjell TV21. Hulumtimi tregon se më shumë se 40 prona të patundshme në Dubai janë në pronësi të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut. Sipas të njëjtës analizë, vlera e përgjithshme e kësaj prone në pronësi të qytetarëve të Maqedonisë është pak më shumë se 15 milionë dollarë amerikanë.


“Zotërimi i pasurive të paluajtshme në Dubai nuk është në vetvete dëshmi e veprimeve të gabuara apo krimit, por ne kemi hetuar me kujdes dhe kemi identifikuar emrat ku ka informacione përkatëse me interes publik. Bëhet fjalë për njerëz që kanë qenë politikanë ose janë të afërm apo miq të ngushtë të politikanëve në Maqedoni, njerëz ndaj të cilëve ka hetime apo vendime gjyqësore, njerëz që janë nën sanksione ndërkombëtare dhe njerëz që e kanë fituar pasurinë duke shkelur ligjin. Këto të dhëna për pasuritë e paluajtshme të qytetarëve të Maqedonisë nuk pasqyrojnë aktivitetin e përgjithshëm privat dhe afarist. Ata mund, por jo edhe domosdoshmërish mund të kenë prona të tjera në Dubai”, thuhet në “IRL”.

IRL kujton se deri në vitin 2019, shtetasit e Maqedonisë së Veriut nuk mund të investonin në patundshmëri jashtë vendit. Me ndryshimet në Ligjin për Punë Devizore, qytetarëve dhe kompanive iu mundësohet blerja e ligjshme e aksioneve dhe e patundshmërive jashtë vendit. Kushti është që pronën e blerë ta regjistrojnë në regjistrin për investime në patundshmërisë në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut.

Por sipas informacioneve që vetë personat e interesuar ndanë me gazetarët e IRL-së, thuajse të gjithë kanë shkelur Ligjin për këmbimin valutor duke mos deklaruar pasurinë e patundshme jashtë vendit, ndërsa pronat e dikujt janë blerë edhe në periudhën kur kjo me ligj ka qenë e ndaluar.

Në një hetim gjashtëmujor në investigimin ndërkombëtar, reporterë nga 74 media në 58 vende gjetën se pasuri të patundshme në Dubai zotërojnë të paktën 200 kriminelë të dënuar, të arratisur, politikanë të akuzuar për korrupsion ose bashkëpunëtorë të tyre si dhe individë të sanksionuar.

Një hetim ndërkombëtar tregon se si Dubai është bërë një nga parajsat më të mëdha tatimore në botë, ku fshehtësia dhe vitet e politikave lejuese e kanë bërë atë një qytet ku pronat e paluajtshme janë të pushtuara nga pronarë të diskutueshëm dhe me probleme.

Hetimi ndërkombëtar tregon se si Dubai është bërë “parajsë tatimore” në botë.