Momentet e fundit të blogerit rus Vladlen Tatarsky, i cili u vra në Shën Petersburg të dielën e kaluar, janë kapur nga pamjet nga brenda kafenesë ku ndodhi shpërthimi vdekjeprurës, gjatë fjalimit të tij.


Në videot që bëjnë xhiron e internetit, shohim blogerin ushtarak, i cili ka qenë një mbështetës i vendosur i pushtimit rus të Ukrainës, duke çboksuar dhe duke admiruar bustin e një ushtari që iu ofrua. Pak çaste më vonë, teksa e vendos përsëri bustin në kutinë e tij, ndodh një shpërthim që e vret atë dhe plagos dhjetëra të tjerë.

Siç është bërë e ditur tashmë, busti në fjalë ka pasur një mjet shpërthyes dhe është sjellë në kafene nga Daria Trepova, e reja që u arrestua dje dhe po mbahet nga autoritetet e Shën Petersburgut.

Në videot e momenteve të fundit të Tatarsky-t shfaqet vetë Trepova, të cilën blogeri e fton të ulet në krah të skenës, duke e quajtur “Nastia”, emër me të cilin thuhet se është prezantuar.

Në disa pamje, vajza shihet në një moment duke ngritur duart para trupit, sikur ndoshta po mbrohej nga diçka dhe më pas i afron ato në fytyrë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto gjeste tregojnë se ajo dinte për mjetin shpërthyes në bust, apo ishte krejtësisht e padit me këtë fakt.

Komiteti hetues rus njoftoi dje se Trepova u arrestua nën dyshimin për vrasjen e Tatarsky-t. E reja ishte identifikuar më parë nga disa media elektronike ruse.