Borussia Dortmundi është finalisti i parë i këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.


Skuadra e drejtuar nga Edin Terzic eliminoi sonte Paris Saint-Germainin në gjysmëfinale të kësaj gare.

Skuadra nga Dortmundi triumfoi me rezultat minimal 0:1 edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, për të kaluar tutje me rezultatin e përgjithshëm 0:2.

Përballja e dytë gjysmëfinale u luajt në “Parc des Princes”.

Golin e vetëm dhe të fitores për “Verdhezinjtë” e realizoi Mats Hummels, në minutën e 50-të.

Parisienët kishin rastet e tyre edhe sonte, duke e goditur edhe shtyllën në disa raste, por që sërish golin nuk e gjetën.

Borussia Dortmundi në finalen e madhe do të presë fituesin nga ndeshja e nesërme, mes Real Madridit dhe Bayern Munichit, e cila do të zhvillohet në “Santiago Bernabeu”.

Në këtë ndeshje gjithçka është e hapur pasi ndeshja e parë është mbyllur baras 2:2.