“Ai po vjen”- “Erdhi dita”, BDI-ja vazhdon fushatën, qytetarët kuriozë, diçka e madhe po vjen!

“Ai po vjen”, kjo ishte fushata që nga dita e mërkurë filloi Bashkimi Demokratik për Integrim në rrjetet sociale dhe ky slogan për një periudhë të shkurtër u bë viral dhe mbuloi të gjitha profilet po edhe faqet e të gjitha mediave vendore, raporton indeks.mk.


Duke u nisur nga kjo, Indeks.mk dje realizoi një anketë me qytetarët të cilët ishin kuriozë të dinin më shumë rreth kësaj fushate.

Të pyetur se “kush po vjen”, qytetarët dhanë përgjigje të ndryshme.

Dikush mendon se po vjen kryeministri i parë shqiptar, të tjerë thonë se është fushatë “interesante” dhe se surpriza pritet të zbulohet së shpejti.

Por askush nga qytetarët nuk ka përgjigje konkrete.

Kjo fushatë ka vazhduar edhe mbrëmë, mirëpo ka pësuar një ndryshim.

Në vazhdën e kësaj fushate mbrëmë zyrtarë e aktivistë të kësaj partie kanë zbuluar slloganin “Erdhi Dita”.

Kujtojmë, Bashkimi Demokratik për Integrim i udhëhequr nga Ali Ahmeti është partia e vetme që njihet në vendin tonë për udhëheqje të fushatave kreative, së fundi ata u transformuan në parti të gjelbërt.

Vlen të theksohet edhe fushata që ata patën në zgjedhjet e fundit parlamentare për Kryeministrin e parë shqiptar, fushatë të cilën edhe e konkretizuan me sukses sepse sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje me LSDM-në, në 100 ditëshin e fundit, kryeministri duhet të jetë shqiptarë nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.