TURQI- Plagët e Turqisë sa vijnë e thellohen pasi numri i viktimave nga tërmeti vijon të rritet. Krahas shumë shteteve të tjera edhe Shqipëria ka dërguar ekipet e veta të kërkim-shpëtimit për të ndihmuar në zonat e prekura.


Një nga pjesëtarët shqiptarë, i cili ndodhet në këtë operacion tha për ABC NEWS se situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe njëherësh e dhimbshme. Ai theksoi se për 17 orë radhazi kanë vijuar punën nëpër gërmadha duke nxjerrë njerëz të pajetë.

Ai theksoi se janë 25 efektivë shqiptarë të kërkim-shpëtimit, të cilët po japin kontributin e tyre në nxjerrjen e qytetarëve turq që kanë mbetur poshtë pallateve.

“Situata është e jashtëzakonshme. Aktualisht po punojmë në një pallat, cili ka qenë tetë kate më parë. Mbi 17 orë kemi bërë kërkime intensive. Jemi 25 efektivë të kërkim-shpëtimit. Një fëmijë u nxor gjallë, ndërsa pesë të tjerë të pajetë”, tha ai, teksa vijojnë punë në Malatya, një prej zonave të prekura nga tërmeti tragjik/abcnews.al