Financial Times: Bankierët rusë u përpoqën të bindin Putinin për pasojat e luftës në Ukrainë

Financial Times, në një artikull të ri mbi luftën në Ukrainë, raporton se bankierët rusë u takuan me Vladimir Putin dhe u përpoqën ta bindin atë për luftën në Ukrainë.


Në veçanti, presidenti i bankës ruse Sberbank German Gref (banka më e madhe ruse) dhe guvernatorja e Bankës Qendrore të Rusisë Elvira Nabiulina rreth një muaj para pushtimit, vlerësuan se sulmi mund të kishte “pasoja katastrofike” për ekonominë ruse.

Gref dhe Nabiulina u takuan personalisht me Putinin në rezidencën e tij në Novo Agaryovo dhe i paraqitën atij një raport prej 39 faqesh, në të cilin ata parashikonin se vendet perëndimore do të vendosnin sanksione kundër Rusisë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, duke e kthyer ekonominë ruse dekada pas, raporton abcnews.al.

Në veçanti Gref paralajmëroi për mundësinë e rënies së PBB-së me 30% brenda dy viteve dhe për një rritje të mprehtë të inflacionit si dhe një rënie të standardit të jetesës së rusëve.

Sipas burimeve të FT, Putin e ndërpreu Gref dhe e pyeti se çfarë duhej të bënin për të shmangur pasojat më të këqija. Megjithatë, krerët e Sberbank dhe Bankës Qendrore nuk mund t’i tregonin qartë presidentit se ai nuk duhet të ndiqte përshkallëzimin me Ukrainën.

“Ata u treguan mjaft të guximshëm për të kërkuar një takim me të. Por ata nuk mundën t’ia transmetonin mesazhin Putinit”, sipas FT. Siç shkruan FT, Putin nuk ka folur drejtpërdrejt me bashkëbiseduesit e tij për planet e tij dhe ata janë informuar për fillimin e luftës “nga televizionet vendase” .

Sipas informacioneve, të ashtuquajturit teknokratë u “shkatërruan” që presidenti nuk i dëgjoi fjalët e tyre.

“Unë kurrë nuk e kam parë Gref në këtë gjendje. Ai ishte në gjendje shoku absolut”, tha një nga kolegët e tij.

Ai e përshkroi Gref si një “kozmopolit” që “i pëlqente të shkonte në forume, konferenca dhe takime” dhe ishte në Silicon Valley gjatë gjithë kohës.

Sidoqoftë, as Gref dhe as Nabiulina nuk dhanë dorëheqjen. Përkundrazi, siç shkruan FT, ata bënë shumë përpjekje që ekonomia ruse të rezistonte pas vendosjes së sanksioneve të ashpra që ata vetë kishin parashikuar.