Djali 4 vjeç, arrin të mbijetojë 6 ditë mes ‘hienave dhe çakejve’ në shkretëtirën afrikane

Një djalë 4-vjeçar ka mbijetuar për mrekulli pasi kaloi gjashtë ditë i humbur në një rezervat të kafshëve të egra afrikane të mbushur me grabitqarë vdekjeprurës.


Fëmija kishte arritur në një farë mënyre të endej mbi 11 milje nga shtëpia e tij në Asa, e cila është afër skajit të rezervuarit të kafshëve të egra Tsavo East në Kenia.

Ai u gjet nga piloti Roan Carr-Hartley, i cili punon për Sheldrick Wildlife Trust, në një program për shpëtimin e elefantëve jetimë dhe rehabilitimin e kafshëve të egra me bazë në Tsavo.

Djali ishte ndarë nga vëllezërit e tij gjatë një stuhie. Ata ishin duke ruajtur bagëtitë, por për shkak të stuhisë 4-vjeçari humbi dhe vëllezërit e tij u kthyen në shtëpi pa të. Shefi i Asa-s kishte kontaktuar me Sheldrick Wildlife Trust për t’i pyetur nëse mund të përdornin avionin e tyre për të ndihmuar grupin e kërkimit në këtë zonë.

“Një grup kërkimi doli për ta kërkuar, ata bënë një punë të mahnitshme duke e gjurmuar atë. Ishte një mjedis i rrezikshëm për çdo njeri dhe jo më për një fëmijë kaq të vogël. Megjithatë, për shkak të reshjeve të dendura, nuk ka pasur mungesë të ujit sipërfaqësor. Kjo të paktën më dha pak qetësi se djali do të mund të gjente ujë”, tha piloti Carr-Hartley.

Por pas disa ditësh Piloti thotë se nuk pati shumë shpresa për gjetjen e djalit të vogël pasi ishte një javë me reshje të dendura, pa ushqim dhe zona e mbushur plot me grabitqarë.

Në ditën e 6 piloti Carr-Hartley e gjeti djalin e rrethuar nga shkurre dhe pemë në shkretëtirë.

“Isha i tronditur që po e shihja se ai ishte ende gjallë dhe po ecte. Unë nuk isha më në kërkim të tij dhe kjo gjë e bëri 10 herë më të vështirë të besoja që ai ishte ende gjallë”, u shpreh piloti për për Newsweek.

Fëmija vuante nga kequshqyerja dhe i mbuluar nga pickimi i insekteve, por ai ishte gjallë dhe shumë shpejt u mor nën kujdesin e mjekëve. Miqtë e tij i kanë vënë një pseudonim për t’i kujtuar se si u shpëtua. Tani e quajnë “Pilot”.