Ballkani Perëndimor duhet të fokusohet në ekonominë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian ka deklaruar kryeministri Milojko Spajiç.


Sipas tij, liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në një samit rajonal në mes të muajit maj në Kotorr. Spajiç tha se duan që të ulin sa më shumë tensionet dhe të fokusohen në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike në rrugën drejt BE-së. Kryeministri theksoi se Mali i Zi dëshiron të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit dhe se me ratifikimin e disa marrëveshjeve për mobilitetin, ka treguar përkushtimin e tij ndaj procesit të Berlinit.

“Do të kemi një Samit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në mes të muajit maj në Kotorr. Duam që të mbledhim të gjithë zyrtarët e rajonit, gjë që nuk është e lehtë për shkak të dinamikës së marrëdhënieve mes shteteve ballkanike. Po mundohemi që të ulin sa më shumë tensionet dhe të fokusohemi në marredheniet ekonomike mes nesh në rrugën drejt BE-së. Duhet t’u përkushtohemi qytetarëve, t’i harmonizojmë gjërat që janë në dobi të tyre, në mënyrë që politika të mos jetë pengesë për këtë.”

Spajiç tha se Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështet rrugën e tyre drejt BE-së dhe se parlamenti malazez votoi një rezolutë për Srebrenicën në vitin 2021.

Kryeministri malazez tha se vendi i tij ka një shans të madh për të prodhuar energji nga burime të rinovueshme, veçanërisht duke përdorur potencialin hidro.

Kjo, shtoi ai, është shumë e rëndësishme në kuadër të bilancit në prodhimin e energjisë.

“Besoj se është një model i shkëlqyer biznesi, sepse ne kemi mundësi të eksportojmë përmes kabllos nëndetëse që na lidh me Italinë”, tha Spajiç.

Sipas tij, shansi i dytë për përparimin e Malit të Zi është turizmi.