Bashkim Aliu

Historia botërore është e mbushur përplot me ngjarje historike dhe ndodhi të rëndësishme të cilat flasin për të kaluarën e lavdishme të popujve, të cilëve u takojnë këto ngjarje dhe ndodhi.
Popujt e mëdhej, kanë data të lavdishme dhe ndodhi grandioze, me të cilat kanë mbetur të pashlyeshëm në histori. Hixhreti, në historinë islame, rradhitet në njgarjet më me rëndësi historike, fletët e të cilit janë të mbushura me shembuj e moduse për çdo gjeneratë, dhe i shtrinë degët e tyre në shumë fushëveprime kyçe të jetës.
Si asnjë ndodhi tjetër, hixhreti nuk pati ndikim vetëm në botën islame dhe jetën e muslimanëve, por ai paraqet datë me peshë të madhe në historinë e gjithmbarshme njerëzore. Ai pati ndikim dhe i lëshoi rrezet e veta në tërë rruzullin tokësor, dhe i ngjalli e freskoi zemrat e venitura të njerëzimit. Ai nuk ka la gjurmë vetëm në kohën në të cilën ndodhi, por gjurmët e tij shihen në të gjitha periudhat e historisë njerëzore.
Rrezet e hixhretit u reflektuan në katër anët e botës.Në fillim ato rreze u reflektuan në vendet dhe popujt që ishin përreth Gadishullit Arabik, por ma kalimin e kohës, me zgjerimin e shtetit Islam, me përhapjen e Islamit dhe takimin e tij me popuj e vende të ndryshme, ndikimi, influenca dhe jehona e hixhretit gjithnjë e ma tepër vinte në shprehje.
Hixhreti është prej atyre ngjarjeve në historinë botërore të cilat patën ndikim në ndryshimin e rrjedhave të shoqërisë njerëzore.
Hixhreti në vizionin dhe vetëdijen e muslimanit paraqet vullnet të pashuar, bindje të plotë, vetëdije të lartë, gatishmëri për aksion, në të cilin vihet nën këmbë lakmia për të kalueshmen dhe të përkohshmen, ai është veti e muslimanit që nuk e njeh rivalin në historinë e njerëzimit, dhe mbi të gjitha paraqet përultësi e dëgjueshmëri ndaj urdhrit të Krijuesit, e shkaktuar nga dashuria ndaj Tij. Duke e përkujtuar hixhretin e të Dërguarit të Zotit prej mesit të jobesimit në atë të besimit, besimtari veten e ngrit në një shkallë më të lartë të vetëdijes dhe përultësisë ndaj Allahut të madhërishëm. Si ndodhi me rëndësi hixhreti flet shumë për gjeneratat e reja. Atmosfera në Meke, nisja në rrugë dhe arritja në Medine, janë porosi madhështore për muslimanin.
Hixhreti në shpirtin e besimtarit ngjall dashurinë ndaj Islamit, duke vënë në spikamë dashurinë dhe gatishmërinë për sakrifica, përmes tij kumbon lartë një zë i cili flet për ngadhnjimin e të vërtetës dhe realitetit, dhe zhdukjen e gënjeshtrës dhe të mbrapshtës. Ky zë i dridh tagutët-plangprishësit dhe mohuesit e së vërtetës, fut në zemrat e tyre frikën dhe tmerrin sapo e dëgjojnë atë, e kjo ngase ai dëshmon për gatishmërinë e muslimanit që të sakrifikon çdo gjë për idealet e tij madhore.
Hixhreti është inspirim madhështor i rinisë së umetit për reforma në jetën e tyre të gjithmbarshme, ngjallës i ndjenjave islame te bijtë e kësaj feje që për hir të saj të sakrifikojnë çdo gjë që kanë në disponim; ai nxit fuqinë e besimit dhe arsyes së shëndoshë që me çdo gjë t’i kundërvihet tiranisë, dhunës dhe padrejtësisë.
Sado që të mundohen penat e kolosëve të umetit të thurrin fjalë miradie për hixhretin dhe ta tregojnë vlerën e tij, nuk do t’ia dalin dot t’i përfundojnë sepse ai është kufiri i cili bëri ndarjen në mes dritës dhe territ, realitetit dhe gënjeshtrës, të mirës dhe të keqes në formë të organizuar.
Hixhreti, kjo ndodhi madhështore Islame, ka karakter polidimenzional, gjegjësisht ka karakter fetar, politik, shoqëror, ekonomik etj. Ndikimi i tij u reflektua në të gjitha sferat e jetës njerëzore, duke filluar nga lidhja e njeriut me Zotin, shoqërinë, natyrën, jetën, shkencën etj.
Me hixhretin filloi të fryej një erë e re e rregullimit shoqëror dhe sistemit qeverisës në botë, një mënyrë e re objektive e marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike ku ruhej interesi i të gjitha palëve.
Hixhreti është ndodhi e pashoqe në histori, e demonstrimit të besimit të fortë, guximit, trimërisë e sakrifikimit. Kjo shihet nga vendosmëria e muslimanëve që për hirë të besimit ta sakrifikojnë edhe veten e tyre.
Hixhreti e ndërroi fizionominë e botës dhe i dha jetës një kahje tjetër, ngase në skenë dalin luftëtarët e paqës, prosperitetit, drejtësisë dhe bartësit e vlerave madhore morale. Me këtë lëvizje të urtë e kolosale, para muslimanëve u hapën shpresa të reja për ngadhnjim, horizonte të reja në misionin dhe predikimin e të vërtetës, faqe të reaj në fitoret e këtij umeti dhe regjistrin e të arriturave të tij, shtigje të reja të depërtimit të dritës dhe coptimit të errësirës, ndjenja dhe aspirata në ngritjen e themeleve të forta të shtetit islam në të cilin do të mbretërojë drejtësia, siguria, paqja, ku do të lulëzojë civilizimi, përparimi dhe do të lartësohet e vërteta.
Hixhreti qe një nismë e re për në revolucion i cili frytet e veta do t’i japë me sukses dhe do të ketë sukses në shumë plane:

-Me të filloi një epokë e re në historinë e thirrjes Islame, zë fill konstituimi i shtetit islam i cili do të jetë bartës i Islamit në mbarë botën. Kjo bashkësi e cila do të jetë produkt i hixhretit, do t’i thejë përfundimisht forcat e errëta satanike dhe do ta ngushtojë hapësirën e manevrimit të anarkisë në mesin e njerëzve.

-Me hixhretin u hapën shtigje të reja të prezantimit të platformës islame në arenën ndërkombëtare, që në këtë mënyrë ta firmosin fillimin e erës së kthimit të prestigjit dhe dinjitetit të njeriut, lirimin e tij nga rrobërimi ndaj njeriut dhe ngritjen në piedestalin që e meriton. Pas hixhretit, muslimanët nuk mbetën vetëm objekt, por ata bëhen subjekt kreativ në histori.

-Hixhreti në esencë paraqet transformim të dy anshëm. E para, në shoqërinë e Medines duke e shpëtuar atë nga turbullirat e pa kuptimta që trazonin kohë pas kohe shpirtërat e tyre; dhe e dyta në nxitjen e të logjikuarit të opininonit të atëhershëm në seriozitetin e fesë Islame dhe misionin e Muhamedit –paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të- e cila dita ditës po depërtonte në terene të reja dhe fuqishëm ofronte programin e shpëtimit të njerëzimit.

-Hixhreti flet për përgjegjësinë e lartë, shpirtin e çiltër dhe bindjen e fortë të muslimanëve të parë, të cilët u vendosën për një hap të këtillë. Kurrë në zemrat e tyre nuk u paraqit frika, duke demantuar me këtë, ata të cilët mundohen ta quajnë hixhretin si ikje nga frika, por, ata këtë e bënë nga dashuria e thellë ndaj fesë.

Hixhreti është shkollë për të gjitha kohërat. Në të besimtari sheh planin e zhvillimit të thirrjes në mes njerëzve, sheh shtigjet e ngadhnjimit shpirtëror. Hixhreti është transformim prej mjedisit të jobesimit në atë të besimit, kalim prej gradës së parë të qëllimit të Islamit, thirrjen e njerëzve dhe njoftimin e tyre me fenë hyjnore, në shkallën më të lartë të qëllimit të tij, formimin e shtetit dhe marrjen e kompetencave të udhëheqësisë shpirtërore dhe politiko-administrative nga ana e të Dërguarit të Zotit.
Kjo ndodhi madhështore e historisë sonë të lavdishme, është mësuese e denjë e njerëzimit për domosdoshmërinë e gjithanshmërisë së programit i cili synon transformimin e shoqërisë.
Për muslimanët e sotëm, hixhreti kërkon që me vëmendje ta studiojnë çdo aspekt të tij. Gjendja momentale të cilës i janë ekspozuar muslimanët, i ngjan asaj të kohës së të Dërguarit të Zotit, në disa segmente.Torturat, persekutimet e dhunimet që përjetojnë muslimanët, janë përkujtim i gjendjes së muslimanëve në Meke. Rruga e të Dërguarit të Zotit për në Medine, duhet ta paraqesë orvatjen tonë që ta kontrollojmë veten, sjelljen, rrethin dhe të nisemi rrugës së logjikës së shëndoshë, të shohim se a i jemi nënshtruar plotësisht të madhit Zot. Arrtija e të Dërguarit të Zotit në Medine, duhet ta paraqesë arritjen tonë shpirtërore në grada më të larta të devotshmërisë dhe fitoren përfundimtare.
Më në fund, hixhreti si proces i rilindjes sonë shpirtërore, pastrimit dhe vetëdijes, është kthim kah Allahu. Hixhreti është gatishmëri për orvatje dhe sakrifikim për ta ruajtur identitetin tonë shpirtëror, kurse në aspektin shpirtëror, paraqet çlirim prej gjithë asaj që e varros idenë mbi Zotin dhe mbi jetësimin e Ligjit të Tij.