SHKËNDIJA TË NJË LUTJE KOSMOPOLITE

Bashkim Aliu


Vizita e presidentit të Turiqsë Rexhep Tajjip Erdoan në Shqipëri, me 17 Janar, për të përuruar banesat e ndërtuara në Laç për të dëmtuarit nga tërmeti i para dy viteve, për të inauguruar restaurimin e xhamisë dhe njëkohësisht objektit muzeal të Ethem Beut, si dhe për të nënshkruar disa marrëveshje me palën shqiptare, pa dyshim përbën ngjarjen më pompoze në këtë javë, jo vetëm për dimenzionin humanitar të kësaj vizite, por edhe për debatet që u zhvilluan në opinion pas vizitës për shkak vokabullarit që u përdor në ravijëzimin e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri prej presidentit Erdoan, si dhe pozicionimeve diametralisht të kundërta me nikoqirin, të disa deputetëve të parlamentit të Shqipërisë, të cilët e braktisën fjalimin e presidentit të Turqisë në parlametin e Shqipërisë për motive që u munduan t’i justifikojnë në frymën e demokracisë dhe vlerave perëndimore, e që në fund del se nuk dalin nga njëra prej dy platove të kakofonisë së megafonëve të njohur të cilët janë mësuar ta bëjnë telallin o të islamofobisë, o të grekofilëve. Më pas, siç është edhe zakon në mjediset e këtilla mediale, si në Shqipëri, turren analistët dhe “gjithologët gjenial” për të bërë vlerësimin “e duhur” për këtë vizitë, e që kësaj radhe u kondicionua edhe nga data e realizimit të saj, gjegjësisht 17 Janari, që përkon me vdekjen e Skënderbeut.
Sido që të vlerësohet apo cilësohet kjo vizitë, do të ishte jo njerëzore sikur të mos vlerësohet e mira që u bë për familje të dëmtuara nga tërmeti, dhe po aq meskin është manipulimi i audiencave përmes narratives që e tërheq ngjarjen sa humane, aq edhe të rëndësishme politikisht për Shqipërinë, drejt banales. Përzierja dhe lëmshi i termave prej disa “analistëve”, të cilët edhe ditën më të ngrohtë për të dëmtuarit nga tërmeti, e prishin, duke u fokusuar në diskutimet e tyre për këtë vizitë në çështjen e investimeve të Turqisë në Ballkan, duke mos bërë dallim paraprakisht në mes nocioneve investim, ndihmë dhe këmbim tregtar, si dhe duke mos u thirrur në të dhëna të besueshme nga institute relevante adekuate për vëllimin e investimeve të Turqisë në çdo shtet në Ballkan, por duke u thirrur në muhabete të paverifikuara gazetarësh, e infantilizojnë të gjithë debatin dhe shpërfaqin lidhjen organike me dogma grekofile dhe serbofile për pozitën e Shqipërisë në rajon dhe në raport me vendet e tjera.
Mirëpo, gjithë ai debat dhe ato “analiza” që e përcollën vizitën e presidentit të Turqisë, nuk e përkapën një moment shumë të rëndësishëm dhe domethënës për aktualitetin, si në kuptim politik, po ashtu edhe në kuptim të vokabullarit dhe ligjërimit fetar në kohën në të cilën jetojmë. Presidenti i Turqisë, Erdoan, si zakonisht, prerjen e shiritave e fillon me falënderim dhe lutje ndaj Zotit që ia mundësoi ta realizojë këtë të mirë. Mirëpo, ajo që ra në sy kësaj here, qe lutja e veçantë që bëri me rastin e përurimit të banesave, kur, në mes tjerash, në lutje tha: “O Zot mos na le pa ajër dhe pa ujë”. Me këtë, presidenti Erdoan tregoi një performancë të veçantë që konvergon tamam edhe me qëllimin e vizitës, gjegjësisht përurimin e banesave për të dëmtuarit nga tërmeti. Lutja për ajër dhe ujë, nuk është selektive, por universale, dhe tregon kosmopolitizmin e një mendje të hapur. Lutja për ujë dhe ajër, nuk u drejtohet vetëm muslimanëve, por edhe jo muslimanëve, si që e pati këtë natyrë edhe vetë ndihma e akorduar për të dëmtuarit nga tërmeti, ngase nuk është dedikuar në mënyrë selektive vetëm për muslimanët, por për të gjithë të dëmtuarit, pa dallim feje. Po ashtu, presidenti Erdoan, me këtë lutje kosmopolite dhe gjithpërfshirëse, skicoi linja të qarta kah duhet të lëviz muslimani i sotëm në lutjen e tij, si dhe diskursin që duhet ta ndjek në komunikim publik. Marrë parasysh se ai është udhëheqës politik, kjo lutje manifeston orientimin e politikave të tij në udhëheqjen e shtetit, si dhe në mënyrën e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me palët, duke e vënë në fokus ekologjinë, mjedisin dhe mbrotjen e të mirave që Zoti i fali për njerëzit. Përmes aktit të lutjes- duas, që për botëkuptimin e presidentit Erdoan dhe për çdo musliman, paraqet adhurim, përkushtim, bindje dhe besim, dhe jo vetëm ritual, koncepti i “të gjelbërtës” merr dimesion adhurimi dhe pune që e do Zoti, e jo vetëm narrativi politik dhe strategjie të momentit për të thithur fonde apo për taktizim politik. E gjelbërta, ambienti, mbrotja e ajrit nga ndotja, zënë vend në atë që është më sublime për një musliman, në lutje, dhe atë, përfitimi nga kjo, nuk dedikohet vetëm për pjestarët e fesë së tij, por për të gjithë njerëzimin.

LEXIMI I DUHUR I LUTJES AMBIENTALISTE
Në veçanti, këtë lutje duhet ta lexojnë drejtë dhe me thellësinë e duhur komuniteti i ligjëruesve fetarë, që të bëjnë rirenditjen e prioriteteve në trajtimin e temave dhe diskutimeve fetare në xhemat dhe në opinion në përgjithësi. Me theks të veçantë teologët të cilët veprojnë në diaspor, këtij elementi duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe, që të konvergojë me kontekstin në të cilin veprojnë. Ky është një shembull adekuat dhe mjaft i qëlluar i përshtatjes legjitime të ligjërimit fetar me rrethanat aktuale dhe me orientimin gjithnjë e më të theksuar të mbrotjes së ambientit, i cili para se të jetë orientim politik, ka qenë mësim fetar të cilin e ka promovuar i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në cilësi të dërguarit të Allahut dhe interpretuesit dhe praktikuesit më kompetent të fjalës së Zotit. Theksimi i këtij aspekti, nuk duhet të jetë vetëm në planin e ligjërimit, por, po ashtu, edhe në atë të lutjes. Çështja e të mirave natyrore që Zoti ia fali njeriut, duhet të zen vend të merituar në lutjet e imamëve, dhe këtë t’ua mësojnë edhe xhematit, ngase lutja më e mirë është ajo që i përfshinë të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër. Me këtë, do të jepet një mesazh domethënës dhe sublim që do ta reflektojë vetë natyrën e mësimeve islame, dhe që do të flet me masat popullore pa ndonjë komunukim shtesë, ngase arsyeja njerëzore më mirë dhe më qartë e kupton lutjen e drejtë