Presdenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të vizitojë sërish Shqipërinë në maj. Haberler shkruan se gjatë një konference ditën e sotme Erdogan, ka deklaruar se do të mbërrij sërish në Tiranë në hapjen e xhamisë së Namazgjasë, punime të cilat po bëhen me fondet turke. Ai gjithashtu foli edhe për pritjen që iu bë dy ditë më para në vendin tone, ku tha se ishte madhështore, ndërkohë që përmendi edhe lidhjen që kanë dy popujt.


“Pritja që m’u bë mua dhe delegacionit tim në Shqipëri që në momentin kur shkelëm në tokën deri në largim, është shenjë e lidhjes shpirtërore që nuk këputet mes nesh dhe vëllezërve tanë në Ballkan Për ne vetëm kaq është e mjaftueshme. Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne. Puna vijon ende. Me Ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët. Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes”, tha ai.

Erdogan ishte dy ditë më para në Shqipëri ku dhe mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të shtëpive të rindërtuara ndaj banorëve të Laçit. Në vizitën e tij, kreu i shtetit turk nënshkroi disa marrëveshje me kryeministrin Rama si dhe mbajti një fjalim përshëndetës në Kuvendin e Shqipërisë.