Dogana jep detaje se sa aparate për prodhimin e kriptovalutave janë sekuestruar

Policia e Kosovës realizoi pasditen e sotme edhe një aksion në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.


Aksioni në fjalë është në vazhdën e operacioneve që kanë të bëjnë me konfiskimin e kartelave grafike për prodhimin e kriptovalutave.

58 kartela grafike u konfiskuan në këtë aksion të sotëm në një fshat të Komunës së Shtimes.

Operacioni policor u zhvillua në një shtëpi të pabanuar tek personi i dyshimtë A.G, i moshës madhore.

Këto aksione të policisë dhe Doganës së Kosovës filluan në fillim të këtij muaji kur Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ndaloi prodhimin e kriptovalutave.

Vendimi është marrë me rekomandimin e Komisionit Teknik për Masa Emergjente, i cili merret me çështjen e furnizimit me energji elektrike në Kosovë gjatë krizës energjetike.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Doganën e Kosovës nga ku është theksuar se Dogana vazhdimisht ka aksione të cilat lidhen me mallrat e kontrabanduara, derisa dhe pajisjet e tilla që nuk kanë mbulesë dokumentare konsiderohen mallrat e kontrabanduara prandaj edhe i nënshtrohen konfiskimit.
Adriatik Kelmendi nga Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në pjesën jugore të Mitrovicës kanë qenë disa pajisje për prodhim të kriptovalutave me 67 kartela grafike ndërsa sipas tij një pajisje e tillë zakonisht ka gjashtë kartela grafike.

Kurse në Prishtinë nga Dogana e Kosovës janë gjetur pajisje të tilla me 39 kartela grafike.

“Në Mitrovicë pjesën jug kanë qenë disa pajisje për prodhim të kriptovalutave me 67 kartela grafike (një pajisje e tillë zakonisht i ka 6 kartela grafike. Në Prishtinë pajisje të tilla me 39 kartela grafike”.

E më tepër pajisje të konfiskuara gjatë kësaj periudhe pati në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe.

Në Komunën e Leposaviqit janë konfiskuar 272 Antminera (pajisje për prodhim të Bitcoin-it).

“Personi që ka qenë aty është intervistu”, theksoi Kelmendi.

Poashtu zëdhënësi i Doganës së Kosovës theksoi se Dogana konfiskon këto pajisje vetëm në ato raste që nuk kanë dëshmi se janë të zhdoganuara.

E në muajin prill të vitit të kaluar në Prishtinë ishin sekuestruar 34 Riga me kartela grafike. E numër i ngjashëm i rigave me kartela grafike ishin sekuestruan në Gjilan. Në muajin dhjetor të vitit 2021 në Komunën e Gjilanit u sekuestruan 33 Riga me kartela grafike.

Ndryshe kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”. “Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.

Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet.

Policia e Kosovës dhe Dogana në të shumtën e aksioneve që kanë të bëjnë me sekuestrimin e këtyre pajisjeve ka marrë informacionet e nevojshme edhe nga ekipet e KEDS-it, të cilët shpesh herë vlerësojnë se si po bëhet shpenzimi i energjisë elektrike në një objekt të caktuar.

Por sipas burimeve të lajmi.net në kuadër të këtyre aksioneve pati rast kur pavarësisht të numrit të madh të kartelave grafike që posedonte një person i njëjti të gjitha i kishte të rregulluara në mënyrë ligjore, e nuk kishte ikur asnjëherë nga pagesat e energjisë elektrike apo diçka të ngjashme.

Regjistrimi i aparateve për prodhimin kriptovaluta në mënyrë të duhur doganore bëri që sekuestrimi i tyre të bëhet problematik më pas për organet të cilat po merren me këtë çështje.

Shumë të rinj në Kosovë zgjodhën që të investojnë paratë e tyre në kriptovaluta, por siç duket ditëve të fundit pati një rënie të madhe të fitimit nga kripto, gjë që mund të ketë sërish lëvizje.