Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i është kërkuar të hetojë rolin e dyshuar të një zyrtari të BE-së në ndihmën për përshkallëzimin separatist të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë.


Sipas Al Jazeera, në një letër drejtuar von Der Leyen të lëshuar të mërkurën, anëtarët e Parlamentit Evropian (PE) shkruan se një dokument i zbuluar sugjeron që komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi “haptas ka bashkëpunuar [me Dodik] për të shpërbërë potencialisht Bosnjën dhe Hercegovinën”.

“Raporti vëren se komisioneri Varhelyi ‘u pajtua’ me z. Dodik në lidhje me datën e një sesioni të posaçëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska dhe se do të shpallej një moratorium 6-mujor për të miratuar legjislacionin mbi tërheqjen e njëanshme nga institucionet shtetërore”, thuhej në letër, shkruan Al Jazeera.

Ndryshe, Bosnja aktualisht po përballet me krizën e saj më të madhe politike dhe të sigurisë që nga përfundimi i luftës në dhjetor 1995, kur u nënshkrua marrëveshja e paqes e Dejtonit.

Marrëveshjet e ndanë vendin në dy entitete gjysmë autonome – entitetin e Federatës së dominuar nga boshnjakët dhe kroatët dhe entiteti Republika Srpska e drejtuar nga serbët.

“… Nëse paanshmëria dhe neutraliteti i Komisionit vihet në pikëpyetje, ekuilibri i brishtë gjeopolitik kërcënohet menjëherë”.

 

Në tetor, Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës bëri thirrje që Republika Srpska të tërhiqet nga institucionet kryesore shtetërore dhe të krijojë institucionet e saj parashtetërore, duke shkelur traktatin e paqes dhe kushtetutën.

Christian Schmidt, përfaqësuesi i lartë i Bosnjës, i ka quajtur lëvizjet e Dodik “të barabarta me shkëputjen”, duke paralajmëruar se ato mund të nxisin ndarje dhe konflikte të mëtejshme.