Këtë pasdite dorëheqja e Krymeinistrit Zoran Zaev u dorëzua në Kuvend, ndërsa do të konstatohet në seancën e nesërme, që d.m.th. se seanca për pyetje deputetësh nuk do të mbahet. Zaev në arsyetimin e tij thotë se po largohet nga funksioni si përgjegjësi për rezultatet në zgjedhjet lokale. Është e papërgjegjshme që të vazhdoj, ka shkruar ai.


“Për shkak se demokracia do të thotë edhe përgjegjësi. Këtë e bëra që të mundet të vazhdojë të zhvillohet ideja jonë evropiane – perëndimore dhe koncepti progresiv në vend të krijojë kushte për freski dhe përforcim, ndërsa me këtë të mos lejohet të mposhtet në nivel nacional”, qëndron në kumtesën e Zaevit.

Thekson edhe vendimet që u sollën e të cilat vlerëson se janë të rënda dhe historike.

“Ato vendime mundësuan që maqedonasit dhe gjuha maqedonase të konfirmohen në gjithë botën, ndërsa kësaj here edhe nga fqinji dhe miku jonë, Republika e Greqisë. Vlerësoj se me këtë siguruam paqe të përhershme, siguri dhe rrugë të trasuar për mirëqenie ekonomike të popullit”, u shpreh më tej Zaev.

Tërheqjen e Zaevit nga politika e komentoi edhe presidenti Pendarovski në fjalimin e tij.

“Pavarësisht nga qëndrimet individuale të qytetarëve për politikat e kryeministrit në ikje, opinioni i ka të njohura disa mosmarrëveshje edhe midis nesh për disa çështje, ky është një akt i pakontestueshëm që duhet të përshëndetet sepse nuk ndodh shpesh në demokracitë e reja. Është fakt se ai po tërhiqet kur partia e tij është në pushtet, kurse kjo është një situatë diametralisht e kundërt me atë të vitit 2017, kur nuk mund të zbatonim tranzicion të qetë të pushtetit”, deklaroi Stevo Pendarovski, njeriu i parë i shtetit.

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndryshme rreth dorëheqjes së Zaevit. Për partnerët e koalicionit dorëheqja është e panevojshme, ndërsa sipas opozitës është e vonuar.

“Gjithsesi është vendim personal i kryeministrit Zoran Zaev, e respektoj atë vendim. Siç e dini disa herë kemi thënë se është e panevojshme të japë dorëheqje duke pasur parasysh se ishin zgjedhje lokale”, tha Arbër Ademi nga BDI.

“Zaev duhej ta dorëzojë këtë dorëheqje në kohë, por atë gjë nuk e bëri. Do të ishte e drejtë edhe nesër të merret me deputetët për shkak se për nesër është caktuar seanca për pyetje deputetësh ku të gjithë deputetët kanë aq shumë pyetje për këto fenomene devijuese dhe kriza që kanë ndodhur, për shkak se nuk kemi pasur mundësi të parashtrojmë pyetje deputetësh për spitalin modular dhe për tragjedinë në Bullgari”, tha Halil Snopçe nga ASh.

Dorëheqjen duhet ta konstatojë kryeparlamentari, Talat Xhaferi, që do të thotë se nuk ka hapësirë për asnjë farë debati të deputetëve. Pas dorëheqjes së kryeministrit Zaev, shefi i shtetit duhet t’ia jap mandatin mandatarit të ri nga radhët e partisë e cila ka shumicë në Kuvend në afat prej 10 ditëve. Mandatari në afat prej 20 ditëve duhet të parashtrojë programin dhe të propozojë përmbajtjen e kabinetit të ri qeveritarë.