Teatri absurd i Ballkanit Perëndimor

Merxhan Jakupi


Filozofi, sociologu dhe publicisti boshnjak, Esat Bajtall, në dy dhjetëvjetëshat e fundit është njëri ndër kritikët më të rreptë ndaj liderëve dhe elitës politike të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të liderëve politikë të Ballkanit Perëndimor, sidomos të ish-republikave të federatës së dikurshme jugosllave. Ai ka qenë i zhgënjyer dhe mjaft i frustruar ndaj këtyre autokratëve dhe populistëve, madje nuk është involvuar në asnjë subjekt politik, ka mbetur intelektual i pavarur, por siç thotë, shumë shtrenjtë e ka paguar këtë intelektualizëm të tij. Të vetmen ekzistencë e ka siguruar nga botimi i veprave të tij dhe shkrimeve të tij të përkthyera në shumë gjuhë. Në veprën e tij “Drzhava na çekanju” (Shteti në pritje), shkruan se më shumë se dy dekada populli është duke pritur. Ata presin çdo ditë, nga e hëna në të shtunën, për çdo muaj e për çdo vit për shtet, që pas luftërave të përgjakshme, gjenocidi, dhuna, në fund dolën nga kataklizmi e apokalipsi, me shumë trauma, duke shpresuar dhe pritur vendosjen e paqes, shtetin e së drejtës, liritë universale dhe rehabilitimin nga plagët, dhimbjet dhe tmerret që kishin përjetuar. Filozofi boshnjak shkruan se në Bosnjë dhe në Ballkanin Perëndimor jetojnë në kaos, anarki, turbulenca që i ngjason një teatri absurd ose si në mitin e Shpellës së Platonit; jetojnë në një sistem spektakolar, ku çdo ditë ka vrasje, vetëvrasje, skandale, plaçkitje, dhunë në familje e shumë vuajtje të tjera. Jetohet pra, si të ishin aktorë të një “teatri absurd”, ku të zezës i thonë e bardhë dhe anasjelltas.

INTERESAT PARTIAKE DHE KLANORE

Filozofi boshnjak, në veprën e tij “Shteti në pritje”, thotë se liderët nacional-komunistë, pas diktaturës, me fillimin e pluralizmit dhe demokracisë, u konvertuan në demokratë dhe liberalë. Një pjesë e nacional-komunistëve u konvertua në patriotë, religjiozë apo besimtarë. Këta të fundit, ishin religjiozë apo fetarë të pa fe, ndërsa po të ishin besimtarë të devotshëm dhe me ngritje morale, nuk do të shndërroheshin në hipokritë, që i takojnë një makinerie korruptuese të interesave partiake, klanore, individuale. Këta besimtarë të pa fe, shpesh ngrenë gishtin dhe thonë për kundërshtarët e tyre politikë: ja ku janë ata të pa fe, ateistët. Siç bëri me gisht në mes të turmës, një mjeshtër mashtrues, Zarathustrës, ja ky është ateisti! Turma iu vërsul pas profetit, Zarathustrës. Zoti sheh, dëgjon, di dhe thotë: askush nuk ka të drejtë të paragjykojë ose të akuzojë se kush është besimtar e kush ateist. Atë e di vetëm Ai.

Më tej, ky filozof thotë, në periudhën Osmane, besimtarët kishin etikë e tolerancë. Të premteve, në Bash Çarshi, të gjithë esnafët, art-punuesit e dyqaneve, linin të hapura dyqanet dhe shkonin të bënin lutjet e javës në xhami, por nuk kishte plaçkitje apo dhunë. Pra, ata ishin besimtarë të vërtetë, respektoheshin vlerat njerëzore pa marrë parasysh përkatësinë fetare, kombëtare e racore. Po ashtu, edhe në periudhën moniste e të diktaturës, ndonëse nuk kishte liri të fjalës dhe demokraci, të gjithë kishin kafshatë buke. Vlerësohej puna, institucionet, pronësia dhe të drejtat e punëtorëve. Njerëzit shkonin në punë me orën evropiane, dihej koha e pushimeve dhe vikendeve. Do të thotë, ndonëse mungonte liria, punësimi nuk bëhej me miqësi e familjarizim; inxhinierët, profesorët dhe mjekët nuk punësoheshin me diploma false ose pa diploma.

APATIA E KLASËS INTELEKTUALE

Në dy shtet shqiptare dhe në ish-republikat jugosllave shpesh po përdoret maksima “Sindroma ballkanike” dhe “Taverna ballkanase”, si një epitet vlerësimi në konotacion negativ, për të gjithë që jetojnë në këtë rajon. Më shumë se dy dekada, këta popuj kanë të njëjtin prototip, mentalitet, model jete, me liderë autokratë, populist dhe autoritar. Po ashtu, në dy shtetet shqiptare dhe në ish-republikat jugosllave ka tri kategori të elitës intelektuale. Një intelektual serb ka thënë se për të qenë intelektual i pavarur duhet të kesh qëndrim kritik ndaj regjimit dhe të mbetesh i pa lëkundur në luftë përballë ideologjive, për çka intelektualët këtë qëndrim të tyre e paguajnë shumë shtrenjtë, nganjëherë edhe me jetë.

Intelektualët e kategorisë së parë, duke qenë të përbetuar për një qëndrim, kanë mbetur apolitikë, të heshtur dhe në apati. Të gjitha dyert i kanë të mbyllura. Ata kanë zgjedhur përcaktimin ndërmjet lirisë dhe robërisë, duke mbetur inferiorë dhe në periferi të ngjarjeve. Në regjimet totalitare dhe despotike, edhe këta intelektualë persekutoheshin dhe burgoseshin. Në shtetet e ashtuquajtura demokratike, me ngulmë propagandojnë se ata nuk janë të tillë si ishin të tjerët në sistemin monist dhe se janë demokratë e nuk i shkelin parimet demokratike dhe liritë universale njerëzore. Ata pretendojnë se lënë popullin të lirë në zgjedhjen e tyre të jetës, se nga mesi i tyre mund të dalin deputetë e ministra, se vetë përcaktojnë fatin nëse do të shkojnë përtej së mirës dhe përtej së keqes. Të gjitha këto përcaktime janë në duart e qytetarëve. Apatia dhe heshtja e liderëve dhe elitave të tyre u konvenon kjo situatë, sepse është projektuar prej tyre, në stilin “Ata që mendojnë si ne, janë me ne, ndërsa ata që nuk mendojnë si ne janë të lirë të jetojnë sipas dëshirave të tyre”. Këto janë parimet dhe idealet e një shteti demokratik.

Kategoria e dytë e elitës intelektuale konsiston me këmbënguljen e protagonistëve që të mos i tradhtojnë idealet, parimet dhe etikën. Duke mos duruar padrejtësitë, duke humbur të gjitha shpresat, ata në fund, si alternativë, ikin në ekzil prej nga nuk kthehen më.

Kategoria e tretë, është e atyre elitave që u takojnë intelektualëve të konvertuar, të cilët shesin lirinë intelektuale dhe zgjedhin tradhtinë mbi parimet dhe idealet, duke u bërë pjesë e matricës elitare politike të korruptuar. Ata arratisen nga vetvetja, duke shitur gjithë kapitalin e tyre intelektual, ngjashëm si prostitutat. Shesin dhe tradhtojnë lirinë intelektuale, bëhen vasalë dhe lajkatarë, ekspozohen nëpër sallone dhe ndryshojnë statusin shoqëror. Nga intelektualë apatikë, bëhen monstër e despotë. Rrethohen nga pjesëtarë të klaneve dhe miqve të tyre, marrin makina luksoze dhe vila, ndërsa pushimet i bëjnë në vendet atraktive jashtë shtetit.

Në anën tjetër, populli së koti pret që shteti t’i mobilizojë mekanizmat, për ta përmirësuar gjendjen që shkon drejt në humnerë.