Nën organizimin e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, është shënuar në Michigan, 150 vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës, ndër personalitetet më të fuqishme të letërsisë shqiptare, atdhetarit dhe mbrojtësit të denjë të çështjes kombëtare, kundër copëtimit të trojeve etnike dhe terrorit që ju bëhej shqiptarëve nën regjimet e huaja.


Manifestimi kulturor është zhvilluar të dielën, më 24 tetor, në sallën e Kishës Katolike Shqiptare në Rochester Hills, ku mysafirë nderi dhe me referatin kryesor, u prezantua kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Vislon Sinishtaj, si dhe Akademiku Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj.

Recitalet e poezive të At Gjergj Fishtës, me pasion dhe ndjeshmëri të madhe i bëri aktori i shquar Çun Lajçi, i ardhur enkas nga Prishtina.

Pas pjesës akademike kushtuar At Gjergj Fishtës, mbrëmja ka vazhduar me pjesën argëtuese, e për çka ishte i ftuar dhe u përkujdes këngëtari Malësori.

Aktiviteti është mundësuar nga “Jehona e Malësisë”, shoqatë e krijuar afër një muaj më parë, të cilës i prin Vilson Sinishtaj.

Shoqata “Jehona e Malësisë” është shoqata më e re shqiptare e formuar në shtetin e Michigan-it dhe ky është aktiviteti i parë i organizuar për nder të 150 vjetorit të At Gjergj Fishtës , duke dëshmuar cilësi të lartë që në daljen e tyre të parë publike.

Nga kjo shoqatë kanë paralajmëruar shumë projekte në përkrahje të komunitetit shqiptar në shtetin e Michiganit dhe posaçërisht vendlindjes.

Akademik Anton Berishaj, në fjalën e tij kushtuar At Gjergj Fishtës, ishte shumë përmbajtjesor, ku shquan vetitë e poezisë monumentale të bardit të letërsisë shqiptare, të mendimtarit e atdhetarit që tërë jetën ishte në shërbim të kombit.

Është me rëndësi të theksohet se Akademik Anton K. Berishaj, ka lindur në Priftën, ko¬muna aktuale e Tuzit. Shkollën fillore e kreu në Priftën dhe Tuz, ndërsa gjimnazin në Ulqin. Në vitin shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit, punoi si profesor i lëndëve filozofi, sociologji, psikologji dhe logjikë në Prishtinë dhe në Tuz. Për meritat e tij në shkencë, është zgjedhur Akademik në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Jehona e Malësisë është një organizatë jofitimprurëse që ndihmon komunitetin shqiptar të bashkëpunojë për të zhvilluar, forcuar dhe avancuar mirëqenien arsimore, kulturore, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve kudo ndodhen.