Paratë nuk janë më një problem për Newcastle, që kaloi në pronësinë e fondit arab PIF, megjithatë ato duket se nuk mjaftojnë për të blerë gjithçka dhe këtë po e provojnë më së miri drejtuesit e “Magpies”.

Vendimi i tyre i parë ishte të gjenin një trajner të ri, të aftë për të nxjerrë skuadrën nga vendet e fundit ku pozicionohet aktualisht dhe njëkohësisht për ta ngritur drejt elitës së futbollit anglez, natyrisht edhe me investime të forta në merkato.

I pari që u kontaktua ishte Brendan Rodgers, ish trajner i Liverpoolit dhe aktualisht në pankinën e Leicester, por që refuzoi ofertën, pasi dëshiron të vijojë punën te “dhelprat”, edhe për faktin që është piketuar si pasuesi i Guardiolës në verën e 2023-shit te Manchester City.

Më pas u kontaktua Antonio Conte, i cili gjithashtu refuzoi, pasi është një trajner fitues dhe dëshiron të marrë përsipër vetëm projekte që e çojnë shpejt te trofetë, gjë që te Newcastle nuk mund t’ia garantojnë që në vitet e para.

Mediat angleze zbuluan se grupi arab ka kontaktuar edhe me Zinedine Zidane, që as nuk e ka marrë në konsideratë, pasi ka fituar gjithçka si trajner me Realin dhe tani do të rikthehet në pankinë vetëm për të drejtuar Juventusin ose kombëtaren franceze.

Opsionet e vetme të mbetura në diskutim për momentin janë dy ish mesfushorët legjendarë anglezë, Franck Lampard dhe Steven Gerrard, me këtë të fundit që ka folur për një kalim të mundshëm në pankinën e “Magpies”.

“Do të ndjek ndeshjen e Newcastle, pasi Steve Bruce ulet në pankinë për herë të një mijtë në karrierë dhe unë kam një konsideratë të veçantë për të. I uroj më të mirën trajnerit Bruce dhe nuk dua që të ketë asnjë spekulim për një kalim të mundshëm timin te Newcastle”, deklaroi Gerrard.