Prokuroria e Lecce në Itali ka nisur hetimet ndaj tre mjekëve të dyshuar për vrasje me dashje, në lidhje me vdekjen e 14-vjecares Majda El Azrak.

Adoleshentja vdiq më 13 shtator në repartin e terapisë intensive në spitalin e Barit, pas 26 ditësh në koma.

Sipas denoncimit të bërë nga prindërit e saj, e reja ishte nisur të ndjehej keq pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës më 17 gusht në Salento, ku po qëndronte me familjen.

Më 19 gusht vajza u shtrua në spitalin e Tricase (Lecce) ku pas analizave u zbulua një masë tumorale çka bëri të transferohej me urgjencë në spitalin e Barit, shkruan rrjeti italian ‘Il Messagero’.

Mjekët në Bari thanë se e reja me origjinë marokene kishte pësuar meningjit.

Por hetimet kanë nisur pas denoncimit të prindërve, drejtuar ndaj mjekut që i dha dozën e dytë të vaksinës, si dhe dy ekzaminuesve në spitalin e Tricase.

Zyrtaret nuk tregonin cilen vaksine Covid-19 kishte perdorur e ndjera.

Gjyqtari vendosi që autopsia të kryhet më 27 tetor në poliklinikën e Bari, nga tre profesorë të mjekësisë ligjore.