Një numër në rritje i republikanëve, duke përfshirë guvernatorë shtetesh, janë zotuar të ndërmarrin veprime ligjore kundër masave gjithëpërfshirëse të Presidentit Joe Biden për vaksinimin e detyruarkundër COVID-19.

Keqinformimi rreth vaksinimit, siç ishte postimi i këngëtares Nicki Minaj në Twitter, ku thotë se vaksina e koronavirusit shkakton impotencë dhe guvernatorët republikanë që kundërshtojnë urdhrin e vaksinimit së Presidentit Joe Biden, janë disa nga sfidat me të cilat po përballet administrata në përpjekjet për të vaksinuar më shumë amerikanë.

“Unë propozova që vaksina të jetë e detyruar, ndërsa guvernatori i atij shteti e quajti atë “lëvizje tipike tirane”. Ky është lloji më i keq i politikës, sepse po vë në rrezik jetën e qytetarëve të shteteve të tyre, veçanërisht të fëmijëve. Unë refuzoj të dorëzohem para kësaj”, tha Presidenti Biden.

Të enjten, Presidenti Biden kritikoi guvernatorët republikanë për kundërshtimin e urdhrit të shpallur javën që shkoi, që u kërkon të vaksinohen punonjësve federalë dhe personelit të kujdesit shëndetësor si dhe punonjësve të kompanive me mbi 100 punëtorë.

Më shumë se dhjetë shtete kanë miratuar ligje, që ndalojnë vaksinimet e detyrueshme kundër COVID-19, apo kërkesën e dëshmisë së vaksinimit.

“Kur keni një president si Biden që lëshon dekrete antikushtetuese kundër popullit amerikan, ne kemi përgjegjësi të mbrojmë Kushtetutën dhe të kundërshtojmë. Ne po e bëjmë këtë në shtetin e Floridës”, tha Guvernatori Republikan, Ron DeSantis.

Edhe pse vaksinat janë falas, vetëm 55 për qind e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht. Administrata shpreson se urdhri mund ta rrisë këtë numër.