Stoltenberg: Prishtina dhe Beogradi t’i kthehen dialogut, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se pavarësisht një rruge të gjatë që nga konfliktet e viteve ’90-të, në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, janë parë tensione të përsëritura.


Siç tha Stoltenberg, këto tensione kanë retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për të minuar progresin, transmeton klankosova.tv.

Tutje ai ka përsëritur se sulmet e tilla siç qenë ato nga tensionet në veri, ku nga huliganët serbë, mbetën të plagosur thuajse 40 paqeruajtës të KFOR-it, janë të papranueshme dhe duhet të ndërpriten.

”Po dërgojmë në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë të tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë rezervë, që edhe ata të dislokohen sipas nevojës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij”, deklaroi ai mes tjerash.

Ndërsa pranoi se dhuna e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, transmeton klankosova.tv.

”Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”.

NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, tha ai.