Zigzag” Pragmatizmi i Bilall Kasamit

Pavarësisht në do të ketë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë apo pranverë, duket se jeta politike në vend po dinamizohet. Ngjeshja e radhëve brenda dhe ndërpartiake, prandaj shtrohet si domosdoshmëri në mënyrë që të gjitha forcat politike të hyjnë në garën elektorale të mirëpërgatitura për shkak se, këtë e ka provuar përvoja e deritashme, pakënaqësitë dhe hatërmbetjet e përshkallëzuara deri në përçarje, të thuash i kanë kushtuar shtrenjt çdo partie. Qofshin ato shqiptare apo maqedonase. Të mëdha apo të vogla. Së këndejmi, nisma e kreut të Besës, Bilall Kasami, për krijimin e frontit opozitar karshi integristëve të Ali Ahmetit, është diçka që do vënë në peshojë e pse jo edhe duhet përshëndetur!


Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Të mërkurën, i pari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, doli me idenë e shumëpërfolur për ‘ndërtimin e bllokut të fuqishëm opozitar’ shqiptar duke ftuar të gjitha partitë shqiptare opozitare ‘jashtë BDI-së’, e duke lënë të kuptohet se vetëm kështu do të ndodhë ndërrimi i pushtetit edhe në kampin shqiptar që tash dy dekada po dominohet bindshëm nga partia e Ali Ahmetit. Kasami mbase i vetëdishëm se ku dhemb dhëmbi opozitar, nënvizoi në ftesën publike edhe atë që ai e quajti ‘largim të kërkesave personale për pozicionim eventual’. Një formulim ky, do pranuar, i ndërtuar me mjeshtri, po të kihet parasysh dështimi i deritashëm për ngjeshjen e radhëve opozitare brenda spektrit politik shqiptar të cilit Bashkimi i Demokratik për Integrim nuk mund të thuhet se s’i ka bërë ballë – me sukses! Madje, lideri i saj, Ahmeti, jo një herë pati bërë thirrje pikërisht për këtë që e tha dje Kasami!

Deri në këto momente nuk ka pasur ndonjë reagim të thelluar të adresave të cilave iu përçua mesazhi i numrit një të Besës. Është për të uruar që ideja për ‘ndërtimin e bllokut të fuqishëm opozitar’ të mos interpretohet si përpjekje për protagonizëm, por si diçka e imponuar nga këto 20 vitet e fundit. Do të ishte shumë keq nëse Kasamit i rikujtohet ‘takati politik’, nëse i zihet për të madhe pse nuk ka pritur që këtë ta bëjë dikush tjetër ‘me më shumë takat politik’. Hatërmbetje, gjykoj, nuk duhet të ketë. Për shkak se tek elektorati shqiptar në Maqedoninë e Veriut pin më shumë ujë pikërisht kjo qasje e ‘unitetit ndërpartiak shqiptar’ sesa vrapi pas pobratimit maqedonas apo dhe dalja para tij – kur dihet se ai ka për të triumfuar në ‘vathën’ e vet! Trillet e këtilla, iu kujtohet ai i ‘61’-shit(?) janë afatshkurtëra, aspak të shëndetshme dhe për rrjedhojë, nuk është se sjellin kushedi çfarë!

Të mërkurën, Bilall Kasami nisi edhe një mesazh tjetër teksa tha se do të mendonte dy herë për ndonjë koalicion eventual parazgjedhor me VMRO-DPMNE-në e Hristijan Mickoskit. ‘I ka djegur tambli e tash i frynë edhe kosit’, do të mund të thuhej. Sidoqoftë, hapi është hedhur, ka zëra edhe për tratativa të tjera ish- personalitetesh publike dhe, të gjitha këto sikur paralajmërojnë se do të kemi një garë të nxeht e të ethshme se kush do të dalë yst – në zgjedhjen e radhës!