Inter gjen pasuesin e Perisic, punon për rikthimin e anësorit brazilian

Ivan Perisic po përjeton një rini të dytë me fanellën e Interit, pasi është një titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë të mesfushës, megjithatë problem mbetet kontrata e futbollistit kroat.


Palët janë të lidhura deri në fund të sezonit dhe Interi i ka ofruar rinovimin me ulje page, gjë që nuk është pranuar deri tani nga kroati, i cili po merr në konsideratë largimin me parametra zero nga Milano.

E për të mos u gjetur të papërgatitur, drejtuesit e klubit milanez kanë nisur negociatat me Manchester United, për anësorin brazilian Alex Telles, i cili ka një të shkuar me fanellën zikaltër kur trajner ishte Mancini dhe e njeh mirë ambientin.

Telles u transferua te Manchester United në vjeshtën e 2020-ës, por në më shumë se një sezon nuk ia ka dalë të përshtatet me futbollin anglez dhe numëron vetëm 13 ndeshje, shumicën e të cilave duke ardhur nga stoli.

Drejtuesit e “djajve të kuq” do të ishin gati ta shisnin që në janar, pasi nuk e shohin më pjesë të projektit, ndërsa te Inter janë ofruar ta marrin në huazim me të drejtë blerjeje, formulë që nuk pëlqehet shumë në “Old Trafford”.