Grubi: Aplikacioni digjital “Hana”, segment i rëndësishëm për shoqëri të barabartë

Shkup, 6 Dhjetor – Pas promovimit të Audio Lexuesit në gjuhën maqedonase – Kiko, personat e verbër dhe personat me shikim të dëmtuar, gjuha amtare e të cilëve është shqipja, kanë në dispozicion versionin shqip – Hana. Ky aplikacion në gjuhën shqipe, i ngjajshëm me versionin e saj në gjuhën maqedonase, do të mundësojë që teksti i shkruar të dëgjohet dhe kuptohet në një version audio. Për herë të parë personat me shikim të dëmtuar që flasin shqip fituan një audiolexues në gjuhën e tyre amtare, “Hana” që do të jetë në dispozicion të rreth 5000 personave të verbër në rajon. “Hanën” do të mund të përdorin rreth 5000 persona të verbër nga rajoni që kanë gjuhën shqipe gjuhë amtare, por sigurisht që ky numër është më i madh nëse merret parasysh diaspora shqiptare nëpër botë.


Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, shprehu kënaqësinë e madhe që do të lehtësohet dukshëm jeta e përditshme e personave të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar.

“Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është krijimi i një shoqërie për të gjithë, në të cilën të gjithë do të kenë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi dhe mbrojtje të barabartë nga çdo diskriminim. Në strategjitë dhe politikat e saj Qeveria ka një angazhim të qartë për të përmirësuar cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara. Në përputhje me përcaktimet e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nënshkrues i së cilës është vendi ynë, kemi synim strategjik për të përmirësuar kushtet për përfshirjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha shoqëritë. Është miratuar konkluzion për nevojën e përfshirjes së detyruar të nxënësve me aftësi të kufizuara të lehta intelektuale në shkollat e rregullta. Gjithashtu është bërë vlerësimi i të gjithë fëmijëve nga klasa e parë deri në të pestën nga shkollat fillore speciale dhe paralelet speciale në shkollat e rregullta në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për të përcaktuar funksionalitetin e tyre dhe nevojën për shërbime shtesë për përfshirje në shkollat e rregullta”, potencoi Grubi.

Aplikacioni digjital – Audio Lexues do të jetë falas dhe i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e sistemeve Android me emrin RHVoice, telefona celularë, desktop ose pajisje të tjera elektronike. Pas instalimit të aplikacionit RHVoice, duhet të zgjidhni “Shqip” në listën e gjuhëve, pastaj klikoni “instalo” pranë emrit Hana.

“Trupi Koordinues Kombëtar për Zbatimin e Konventës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Shëndetësisë, zbatojnë reformë në procesin e vlerësimit të nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Për këtë qëllim është pregatitur model i ri për vlerësimin e nevojave të këtyre personave në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit (KNF). Modeli i ri parasheh rritjen e numrit të trupave profesional të vlerësimit në 9 trupa në disa qytete të vendit tonë. Për herë të parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është në dispozicion në gjuhën e shenjave për personat me dëmtim të dëgjimit. Ky hap respekton të drejtën e qasjes në informacion në format të qasshëm sipas Konventës së njëjtë. Trupi Koordinues Kombëtar, ka filluar me iniciativë për ratifikimin e Marrëveshjes së Marrakeshit, e cila ka për qëllim të rrisë qasjen në libra, revista dhe materiale të tjera të shtypura për të verbërit dhe persona të tjerë që kanë vështirësi në përdorimin e materialeve të shtypura”, tha Zëvendëskryeministri i parë Grubi.

Përdorimi i audio lexuesit si aplikacion është i shumëanshëm. Përveç të verbërve, produkti mund të përdoret edhe nga personat me vështirësi në të mësuar, personat me disleksi dhe të gjithë ata persona që mund ta kuptojnë më mirë informacionin në audio format. Për të dyja versionet e audio lexuesit punoi një ekip i IT ekspertëve nga një kompani amerikane e specializuar për përpilimin e sintezave të të folurit me përvojë në prodhimin e produkteve të tilla për disa fusha të të folurit, të mbështetur nga një ekip filologësh dhe gjuhëtarësh vendas dhe rajonal nga institucione të njohura.

“Po punohet në drejtim të përshtatjes së veprave intelektuale për përdoruesit përfundimtar (personat e verbër), dhe në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim të cilat ndryshime do të bazohen në postulatet themelore Konventës së OKB-së. Me këtë rast më lejoni që të shpreh kënaqësinë dhe gëzimin tim për AUDIO Lexuesin HANA-të parin në gjuhën shqipe i cili tekstin dhe fotografinë do ta shëndrojë në zë dhe do të ju ndihmojë mijëra personave të verbër në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë. Faleminderim i posaçëm shkon për ministren Jahoda Shahpanska dhe UNDP-në që kanë mundësuar realizimin e këtij LEXUESI I cili do ju ndihmojë këtyre personave duke ju mundësuar komunikim dhe lëvizje të papenguar dhe do tua lehtësojë aktivitetet e përditshme. Mundësia për qasje të barabartë për të gjithë në ndërtimin e një shoqërie të barabartë është shumë e rëndësishme. Prandaj nuk do pushojmë duke punuar së bashku, që ti tejkalojmë barierat dhe të sigurojmë qasje të barabartë në shëndetësi, jetën kulturore dhe sociale por edhe në arsim dhe punësim për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë”, potencoi Grubi.