Në kuadër të Ditës së hapur, më 25 prill 2024, në hapësirat e Fakultetit Pedagogjik u mbajt takim dhe punëtori me kopshtet për fëmijë që realizojnë aktivitete në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi se ky është një kapitull i ri i bashkëpunimit trilateral midis Fakultetit Pedagogjik, kopshteve për fëmijë në gjuhën shqipe dhe Shoqatës “Arsimi” në Zvicër dhe që ka të bëjë me zhvillimin profesional të edukatorëve.
Trajnimi u realizua nga përfaqësuesit e Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra, Erika Masina Beuggert e cila në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut njihet si Ambasadore e profesionit të mësuesisë për ciklin parashkollor, si dhe docenti i shkencave sociale – pedagogjike dhe edukative – arsimore Doc. Dr. Mahir Mustafa i cili jeton dhe vepron në Zvicër.
Pjesa e parë e trajnimit u zhvillua me temën „Mësimi përmes lojës“ duke e ndërlidhur anën teorike, të bazuar në të dhënat e studimeve të fundit shkencore dhe anën praktike përmes përvojave praktike nga Zvicra e Kosova. Pjesa e dytë iu kushtua strukturimit të një gjysmëdite pune konkrete me fëmijët në kopshtet parashkollore, me aktivitete të drejtuara nga edukatoret dhe aktivitete kreative të lira.
Në pjesën e tretë u prezantua struktura dhe përmbajtjet e kursit bazik pesëditor. Në pjesën e katërt u diskutua mënyra e realizimit të kursit dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve. Kursi pesëditor do të mbahet në tetor nga 14 -18 tetor 2024. Do të financohet nga Shoqata “Arsimi – Bildung”. Nga pjesëmarrëset e kursit bazik do të bëhet përzgjedhja e edukatoreve, të cilat do t’i ndjekin kurset vijuese për trajnere/multiplikatore. Bartës e realizues të projektit do të jenë Fakulteti Pedagogjik dhe Shoqata “Arsimi”.
Në këtë veprimtari, pjesëmarrës nga kopshtet për fëmijë ishin drejtorët e tyre edhe edukatorë nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Saraji, Çairi dhe Likova!