Kryetari Visar Ganiu përuroi rrugën me emrin e patriotit Remzi Hoxha

Në prani të anëtarëve familjes së njohur shkupjane Hoxha, kryetarit të komunës se Ferizajit dhe miqve e dashamirëve të veprimtarisë patriotike të Remzi Hoxhës, sot kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu përuroi rrugën që nga sot do të mban emrin e patriotit Remzi Hoxha.


Ganiu gjatë ceremonisë tha se koha shëron plagët, por në fakt është harresa që na bën të pandjeshëm ndaj plagëve.
‘Sot jemi mbledhur këtu për të përuruar këtë rrugë me figurën emblematike, më të ndritshme të këtyre trojeve, veprimtarit dhe patriotit të shquar Remzi Hoxha. Përkujtimi i emrit të tij do të na bëjë të përkujtojmë edhe veprimtarinë e tij dhe mbi të gjitha idealet e larta të kombit tonë, për liri dhe barazi. Remzi Hoxha dhe familja e tij janë trashëgimia e një kombi që na bëjnë krenar për veprimtarinë e tij në veçanti dhe kontributin e kësaj familje në përgjithësi’, tha Ganiu.

Përkujtimi për të, tha me tej Ganiu do të jetë i përjetshëm ngaqë veprimtaria e tij lidhet me përjetësinë dhe idealin e pashteruar për bashkimin dhe realizimin e shqiptarëve si komb.

‘Gjeneratat e reja do të rriten në frymën e këtyre idealistëve të përjetshëm të cilët asnjëherë nuk u pajtuan me nënshtrimin si mbijetesë por i prinë rezistencës për të zgjuar historikisht shpirtrat e tanë shekullorë!’, shtoi Ganiu.

Remzi Hoxha dhe familja e tij janë shkupjanë me origjinë nga Kaçaniku. Remziu u lind në Shkup, më 21 dhjetor 1955 dhe familja e tij sot jetojnë dhe veprojnë në Shkup. Ai ishte anëtar i kryesisë së Frontit për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar si dhe Kryetar i Shoqatës për Ekonomi të Vogël dhe Zejtari. Veprimtaria e tij e tejkalon Shkupin, e Kaçanikun duke u shtrirë, në Prishtinë, Tiranë dhe të gjitha trojet shqiptare. Shumëçka që gëzon sot Tirana e Prishtina padyshim që mban kontributin edhe të Remzi Hoxhës.

Remzi Hoxha është zhdukur në rrethana misterioze në Tiranë në vitin 1995, ndërsa emrin e tij e mbajnë rrugë të Kaçanikut dhe Ferizajit, ndërsa Çairi është komuna e tretë që përmes emërimit të rrugës në Çair, e bën të pavdekshëm kujtimin për të.