Disa aspekte filozofike mbi mjerimin e intelektualizmit

NGA MERXHAN JAKUPI


Më 1960, filozofi i famshëm austriak i shek. 20, Karl Popper, në një referat në
Munih, para audiencës deklaroi se një ndër devotshmëritë dhe virtytet e
njerëzimit, është thjeshtësia apo modestia, ndërsa vetëvlerësimi dhe narcizmi
janë tipare të një race primitive. Karl Popper kishte cituar frazën e famshme të
Sokratit: "Unë e di që nuk di, por edhe atë që e di nuk e di nëse është e
vërtetë!" Ai kishte thënë se i gjithë njerëzimi, që nga Sokrati e deri më tash ka
lëvizur vetëm një hap përpara. Ne dimë shumë pak, por edhe atë që dimë është
e dyshimtë. Mesazhi i filozofit Popper ndaj klasës intelektuale e akademike është
fakti që të jenë të thjeshtë, të urtë dhe modestë. Të mos jenë kryeneçë,
megalomanë dhe narcisoidë. Në fund, duke e përmbyllur referatin, ai kishte
recituar një poemë të Faustit të Gëtes, ku djalli tallet me pseudo-intelektualët
dhe pseudo-akademikët: "Ti që zhvlerëson e injoron dijen, shkencën dhe arsyen,
fuqinë më madhështore të njerëzimit, ti i paditur dhe injorant, kam për të të
rrëmbyer dhe për të të mposhtur shumë lehtë!"
INTELEKTUALIZMI I QYTETËRUAR
Në qytetërimin dhe kulturën perëndimore post-moderne dhe post-sekulare,
narrativi në diskursin e klasës intelektuale dhe akademike është trashëguar dhe
është e ngjashme me tiparet dhe virtytet e intelektualëve e dijetarëve të Greqisë
së lashtë. Uni i intelektualëve në botën perëndimore ka vazhduar dhe është
trashëguar nga Antika e deri në epokën e njeriut modern. Klasa intelektuale dhe
akademike në Perëndim është shumë e thjeshtë, e rëndomtë dhe modeste.
Epiteti i të qenit intelektual, titulli e karizma, arrihen me forcën e dijes,
konkurrencës dhe punës së palodhshme, pavarësisht titullit, pozitës e karizmës
ekzistuese të intelektualit. Ata intelektualë dhe akademikë, megjithatë,
parapëlqejnë modestinë dhe tolerancën. Si rrjedhojë, ata e shohin veten brenda
një tërësie njerëzish, pa dallim race, religjioni dhe shtrese shoqërore, ndërsa
famën dhe mbivlerësimin për veten e konsiderojnë si një mjerim të
intelektualizmit, që nuk shpie përpara, por në ngecje e dekadencë. Përsosmëria
intelektuale tek ata është vetëm dituria, shkenca dhe arsyeja. Uni intelektual
perëndimor nuk shkon përtej të qenit njerëzor. Çdo gjë që është njerëzore, për
ata është vlerë. Ata janë racionalë dhe të arsyeshëm, nuk vuajnë nga patologjia,
sindroma e vetadhurimit, mbivlerësimit dhe famës, që shpie në egocentrizëm
dhe mosnjohjen e individualitetit.
* * *

Në takime të rastit që i kam pasur në Zvicër, me klasën e njerëzve të arsimuar,
kam vërejtur një kulturë të lartë, disiplinë të rreptë në punë, por edhe modesti,
racionalizëm, respekt dhe tolerancë ndaj të tjerëve. Ata kur bashkëbisedojnë
mes vete, ulin tonin e bisedës, të përcjellin me vëmendje dhe të shikojnë në sy.
Gjatë bisedës nuk ndërpresin fjalën e tjetrit, por presin që ta kryejë fjalën dhe
pastaj të ndërhyjë me mendimin e vet. Është karakteristik fakti që kur njihesh
me ndonjë të panjohur dhe zhvillon bisedë me të, ai së pari të pyet për emrin
dhe atë e mban mirë në memorie dhe pastaj të drejtohet me emrin tënd, në
shenjë respekti.
INTELEKTUALIZMI I RREMË
Pas botimit të paradokohshëm të librit tim "Medaljoni gjeopolitik", këtë verë, kur
kisha shkuar nga Zvicra për pushime në vendlindje, shfrytëzova rastin që disa
miqve të mi t'ua dhurojë nga një ekzemplar me përkushtim. Mora në telefon një
mik dhe shok të shkollës, i cili e konsideronte veten si intelektual, me të cilin
lamë një takim në një restorant. Miku qëndronte i ulur përballë, ashtu hijerëndë,
me rroba blu dhe kolare të kuqe. Linte një përshtypje të një njeriu me autoritet,
fliste pa këputur dhe i radhiste sukseset që i kishte arritur në karrierë. Gjatë
"oratorisë" së tij, më ra në vesh tepër shumë përsëritja e nocioneve "unë" dhe
"ne intelektualët". Kur e mori librin, që i dorëzova si dhuratë, me nënshkrim,
fare nuk e përfilli këtë gjest të kujdesit dhe respektit, nga preokupimi me
vetveten. Ma zgjati dorën dhe u zhduk, duke më lënë një përshtypje të zymtë,
aq më shumë se nuk më lejoi të flas, ma ndërpriste fjalën dhe nuk kërkonte falje
për këtë.
Për këto dyzet vjet ishim parë shumë rrallë dhe një sjellje e këtillë më habiti
fare. Vërejta tek miku im një sindromë patologjike, që ishte në kundërshti me
ato që i kam hetuar në vendet perëndimore, pikërisht ato cilësi sipër të
përmendura, si modestia, respekti i tjetrit dhe toleranca. Tek ai pashë narcizëm,
vetëvlerësim dhe vetadhurim. Duke i kujtuar fjalët dhe vetë-lëvdatat e tij për
veten, familjen dhe fisin, m'u kujtua një frazë e Emanuel Kantit mbi
vetadhurimin dhe mbivlerësimin e vetvetes, se këto fenomene burojnë nga uni
egocentrik dhe narcisoid.
Po ashtu, kam hasur në takime dhe biseda edhe individë të tjerë që i takojnë
klasës së arsimuar, të cilët janë thirrur në nocionin e "unit" të tyre ose në
sintagmën "ne intelektualët". M'u kujtua një panel në televizionin zviceran, ku në
debatet e tyre flitnin se intelektuali nuk bëhet vetëm me titull shkencor, doktor
apo akademik. Në Zvicër, intelektualët e vërtetë numërohen në gishta. Prej këtu
del konstatimi se Karl Popper kishte të drejtë kur citonte Sokratin dhe filozofinë
e tij për diturinë.
* * *
Një numër i mirë i filozofëve, sociologëve e njerëzve të urtë, në veprat e tyre i
kthehen edhe këtij fenomeni, duke nënvizuar se fama dhe lëvdata në veten e

parë janë ekstravagante, por, njëherësh, edhe produkt i ulët i intelektit dhe i
mosnjohjes së vetvetes, i mohimit të tërthortë të aftësive të tij intelektuale, që
rezulton nga preokupimi për t'u treguar superior apo një model, prototip i një
personaliteti, duke ikur pahetueshëm nga individualiteti i origjinës.