Zgjedhjet parlamentare/ Nisën karvanet zgjedhore – nisën edhe nismat dhe premtimet…!

“Ndërmarr nismën për krijimin e unitetit kombëtar”. Me këtë zotim  nga Ohri, kreu I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nisi fushatën për zgjedhjet parlamentare. Ai shpalli moratorium, sic tha, të sulmeve ndaj “Levicës” dhe Lëvizjes “Znam” duke pohuar se do të merret funksionarë të korruptuar të BDI-së dhe LSDM-së.


“Këtë e ndjej si nevojë të popullit maqedonas, por edhe si obligim për të provuar ta realizoj idenë për unitet kombëtar në momente kur më së shumti I duhet vendit, në momente kur shteti është marrë nga populli nga disa politikanë të korruptuar të BDI-së dhe LSDM-së”, tha Hristijan Mickoski.

LSDM-ja fushatën për zgjedhjet parlamentare e nisi nga Gjevgjelia duke premtuar plan dhe vizion për Maqedoninë e Veriut anëtare të BE-së deri më 2030 si dhe standard jetësor evropian.

“Garantojmë pagë mesatare prej 1.100 euro dhe minimale prej 600 euro. Papunësia do të jetë 7% deri në fund të mandatit. Kompanitë do të fitojnë 180 milion euro mbështetje të drejtpërdrejtë financiare, kurse për bujqit 1.35 miliardë euro. Do të vendosim programe me subvencione dhe çmime të volitshme për blerje të banesave për të rinjtë deri në 29 vjeç”, tha Dimitar Kovaçevski.

Karvani zgjedhor i Frontit Evropian ka qëndruar në Kumanovë.  Ali Ahmeti në fjalimin e tij tha se Fronti Europian garanton ardhmëri të sigurt, stabilitet, qëndrueshmëri, por kishte edhe disa mesazhe për opozitën shqiptare.

“Për opozitën nuk dua të flas shumë, por “nuk janë djem të këqinj, por nuk dijnë”. Të komentojnë superligën ata që janë në ligë lokale. “Bën do deklarata të forta Mickoski I përsërit Arbeni. Arbeni është doctor por politikan jo”, tha Ali Ahmeti.

Koalicioni VLEN tubimet për  fushatën parlamentare i nisi nga Struga, ku prezantoi kandidatët për deputetë në njësinë e 5-të zgjedhore si dhe programin për zgjedhjet parlamentare.

“Këtu në Strugë pushtetarët në ikje dhe qeverisja në ekzil po propagandojnë për fitore bindëse, por ju sonte po tregoni se Struga do të jetë bastion, por ama i ndryshimit”, tha Bilall Kasami.

Partitë politike më 18 prill nisën fushatën zyrtare për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024, të cilat do të jenë të 11-tët me radhë që nga pavarësimi i vendit.

Gjithsejt 17 parti në 20 ditët e ardhshme, para votuesve do t`i prezantojnë ideologjitë, ambicjet dhe aspiratat.

Për herë të parë, fushata parlamentare do të zhvillohet paralelisht me fushatën për zgjedhjet presidenciale që nisi më 04 Prill, kurse duhet të përfundojë më 22 Prill me hyrjen në fuqi të heshtjes 48 orëshe. Gjatë heshtjes, do të zhvilohet fushata për zgjedhjet parlamentare./tvklan.mk