Sveçla takohet me shefen e operacioneve të NATO-s, diskutojnë për situatën e sigurisë në veri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, Shefja e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla është takuar me shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Sveçla, mes tjerash theksoi se me Viehen kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri, njofton Klankosova.tv.

“Bashkë biseduam për situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës, veçanërisht në veriun e vendit tonë. E njoftova znj. Viehe për punën e institucioneve tona në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë atje”, shkroi Sveçla në rrjetin e tij social në Facebook.

“Kam shprehur shqetësimin për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë si dhe për gjuhën e veprimet e saj kërcënuese në raport me Republikën tonë. Theksova rëndësinë e ndëshkueshmërisë së ekstremistëve të dhunshëm e terroristëve, si garancë e mospërsëritjes së sulmeve me të cilat jemi ballafaquar së bashku me pjesëtarët e KFOR”.

“Vlerësuam lartë të dyja palët bashkëpunimin dhe punën e palodhshme të Policisë së Kosovës dhe KFOR, në krijimin e një ambienti të qetë e të sigurtë për qytetarët tanë”.

Viehe, gjatë ditës së djeshme është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.