Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin me Propozim-ndryshime dhe plotësime të tarifës së premive për sigurimin e pronarëve të automjeteve nga përgjegjësia për dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta.


Ndryshimet e miratuara nga ana e Qeverisë, janë me propozim të Komisionit për Sigurim të Përgjegjësisë Automobilistike pranë Ministrisë së Financave dhe me to përcaktohet një perimetër prej 15% deri në 30%, në të cilin shoqëritë e sigurimit mund të përcaktojnë pjesën e premive për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të përgjegjësisë automobilistike.

Për shumën e shpenzimeve mbi 30%, parashikohet që kompanitë e sigurimit të kërkojnë pëlqimin paraprak nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve.

Vendimi i sotëm i Qeverisë nënkupton kthimin e çmimit të sigurimit nga auto-përgjegjësia në nivelin e para 25 prillit 2024.

Gjithashtu, është përcaktuar se Komisioni i Sigurimit të Përgjegjësisë Automobilistike, jo më vonë se data 30 shtator, çdo vit, deri te Qeveria dorëzon propozimin për normën minimale dhe maksimale të premive të sigurimit teknik për vitin e ardhshëm.

Qeveria në mbledhjen e sotme, shqyrtoi dhe miratoi Draft Agjendën e Reformës 2024-2027 në kuadër të Planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, me status 30.04.2024 dhe pranoi të gjitha korrigjimet teknike të qëllimeve të reformës dhe hapave të ardhshëm, pas së cilës i dërgohet Komisionit Evropian.

Agjenda e Reformës, sipas procedurës së paraparë, duhet të miratohet nga Komisioni Evropian, me të cilën do të hapet mundësia e nënshkrimit të Marrëveshjes për instrumentin për reforma dhe rritje dhe Marrëveshjen e huas, si dhe paraqitjen e kërkesës për tërheqjen e këstit të parë, përkatësisht për avancën në vlerë prej 7% nga alokimi për vendin, përkatësisht për Republikën e Maqedonisë së Veriut.