Macron do ta takojë Vuçiqin në Paris, presidenca franceze: Pa normalizim me Kosovën, s’ka BE

Emmanuel Macron do ta presë në takim homologun serb Aleksandar Vuçiq, të hënën në mbrëmje në pallatin Elysee.


Presidenti i Francës dhe ai serb do të diskutojnë për integrimin evropian të Serbisë dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Kosovës, njoftoi Presidenca e Republikës Franceze.

Udhëheqësi francez “do të riafirmojë, me këtë rast, lidhjen dhe mbështetjen e tij të plotë për integrimin evropian të Serbisë” dhe “se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit” në Bashkimin Evropian.

Mediat franceze raportojnë edhe për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë të bëjnë me monedhën serbe, dinarin.

Euro zëvendësoi dinarin, përdorimi i të cilit tani është i paligjshëm, duke shkaktuar zhgënjim në Beograd, shkruan lefigaro.

“Të dy presidentët do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes, energjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale”, njoftoi gjithashtu të premten Elysee gjersa Macron dhe Vuçiq do t’iu adresohen mediave pas takimit rreth orës 20:00.